Kuvendi Komunal i Gjilanit kërkon lirimin prej 100 eurove për tatimin në pronë
Me 35 vota për, një kundër dhe një abstenim, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka kërkuar nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFPT) që t`i liroj të gjithë tatim paguesit e Komunës së Gjilanit nga pagesa e pronës së paluajtshme në vlerën prej 100 euro për vitin 2023.
Propozimin e cili mori shumicën e votave të deputeteve e bëri Krenare Lafiti, asamblistë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit tha që lirimi prej 100 eurove nuk do ta dëmtonte buxhetin komunal.
“Ajo çka duheni me kuptu është se në nivel të vendit, 100 tatim paguesit më të mëdhenj e kanë 1.4 për qind, ose 1 miliard e 400 mijë euro e kanë vlerën e kapitalit që e posedojnë, na për çka po folim këtu është diçka tjetër, kush i ka 80 euro tatim në pronë i falen 80 euro, kur dikush ka kapital më shumë i hiqen 100 euro dhe i paguan të tjerët, 126 mijë tatim pagues dhe familje marrin pjesë”- tha ai.
“Tatimi në pronë që ka me u fal, ka me u rimbursu, qëllimi jonë nuk është me dëmtu komunën, komunën e kanë dëmtu 7 milionë euro borxhe, nëse nuk jeni më u fal 100 euro, mos e votoni”- theksoi Hyseni.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përkrahi propozimin por pati 4 rekomandime, të cilat i tha asamblisti Avdyl Aliu.
“Mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave të filloj nga 21 janari 2024 përmes ndryshimit të ligjit të tatimit në pronë, të gjitha faturat e tatimit e tatimit në pronë të kthehen në gjendje të vitit 2022 duke e pezullu vlerësimin për vitin 2023, nuk po themi se nuk qëndron vlerësimi, rekomandimi i 3-të është që qeveria nga buxheti qendror t`i subvencionojë faturat në vlerën 100 euro edhe rekomandimi i 4 që kësti i parë të mos paguhet me 30 prill por me 30 qershor”- tha ai.
Nazim Gagica nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kërkoi që tatim paguesit të subvencionohen me 100 euro, por pati edhe dy kërkesa shtesë.
“Unë kërkoj që të pezullohet vendimi për rivlerësimin e pronave, faturat e qytetarëve të ardhura me vlerën e lartë, të kthehen apo paguhen sipas vitit paraprak, dhe të gjithë tatim paguesit e Gjilanit të subvencionohen nga 100 euro”- tha ai.
Ndërsa, Bujar Nevzadi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se partia e tij përkrah iniciativën për kompensim.
“PDK përkrahë idenë e kompensimit të diferencës të rritjes së tatimit në pronë për secilën faturë, kërkojmë që ministria të falë ngritjen për vitin 2022 kështu do të jenë përfitues të gjithë qytetarët dhe nuk do të kishte favorizim të kategorive të ndryshme”- tha ai.
Qytetarët këtë vit kanë pranuar fatura me çmim më të lartë të tatimit në pronë.
Javën e kaluar, ministri i Financave, Hekuran Murati ka sugjeruar që komunat të shlyejnë 100 eurot e para për secilin tatimpagues për pronë sivjet.
“Unë sugjeroj që komunat t’i falin 100 eurot e para për secilin tatimpagues për pronë. Nëse ka tatim 200 euro, 100 eurot e para t’i falen. Ky është propozimi që e ka Ministria e Financave. Që do të reflektohet 90 mijë euro të vlerës në pronë. Le të paguajnë për pasurinë që e kanë mbi 90 mijë euro” – ka thënë Murati në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Mirëpo pati kundërshtim ndaj propozimit të ministrit Murati.
Subjekti politik opozitar, Partia Demokratike e Kosovës [PDK], ka njoftuar se do të marrë nismë ligjore për amadamentimin e Ligjit të Tatimit në Pronë.