Kuvendi i mbyll punimet pa i nisur, shkaku i mungesës së kuorumit

Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur që t`i filloj punimet për vazhdimin e seancës, për pikat e mbetura pa u votuar në seancat paraprake.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se nuk ka kuorum të mjaftueshëm për tu votuar pikat e mbetura dhe propozoi që debati për këto pika të kthehet në kryesinë e Kuvendit.

“Nuk kemi kuorum të mjaftueshëm për votim. Debati është shterë për të gjitha pikat që kanë mbet nga seancat paraprake dhe kërkohen për marrëveshje ndërkombëtare së paku 80 vota për të kalu. Dhe tani për tani nuk kemi kuorum. Propozoj këtë diskutim ta kthejmë në mbledhje të kryesisë dhe të caktohet një seancë kur plotësohen kushtet që të vazhdojmë me këto pika të mbetura nga dy seancat e më hershme. Ju njoftojmë me kohë për datën dhe vazhdimin e këtyre seancave”, tha Bogujevci.

Në rend dite ishte:

  1. Votimi i Projektligjit nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10,
  2. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II),
  3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+)    (ada numri referues 8116-00-2020)”,
  4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”,
  5. Votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural,  Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,
  6. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit,
  7. Propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar,
  8. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020.

Rendi i ditës

  1.    Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2021.

Kuvendi e miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2021