Kuvendi i Kosovës, nuk ka kuorum për t’i votuar pikat e rendit të ditës

Kuvendi i Kosovës edhe pse nuk kishte kuorum për të votuar pikat e rendit të ditës, i ka shqyrtuar ato.

Deputetët kanë shqyrtuar Raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, për vitin 2019. Për këtë raport grupet parlamentare kishin dhënë mbështetje, por nuk ka arritur të votohet pasi nuk kishte kuorum.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci, tha se vetëm 44 deputet janë në sallë, dhe sipas saj as qeveria nuk është prezent në sallë.

“Nuk është askush nga qeveria, nuk ka kuorum për të votu janë 44 deputet në sallë”, tha ajo.

Deputetët kanë shqyrtuar edhe raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2019. As për këtë pikë nuk kishte kuorum për vendimmarrje.

Kuorum nuk kishte as për votimin e disa raporteve siç janë: Raporti vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019, Raporti vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2019. Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019.

Për të gjitha këto pika sipas nënkryetares Nagavci përveç që nuk kishte kuorum për vendimmarrje, nuk ishte prezent askush nga qeveria.