Kuvendi i Kosovës nesër me një pikë të rendit të ditës

Zgjedhje e Avokatit të Popullit do të jetë pika e vetme e cila nesër do të jetë në rend të ditë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo është bërë e ditur në njoftimin e zyrës për media të kuvendit, e cila ka njoftuar se vazhdimi i seancës plenare do të jetë nesër (e hënë) duke filluar nga ora 12.

“Rendi i ditës, zgjedhja e Avokatit të Popullit”, është thënë në njoftimin e kuvendit.

Edhe kësaj radhe, mediat nuk mund të jenë të pranishme në sallë për shkak të pandemisë COVID-19.

“Duke pasur parasysh që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, vazhdon të jetë në dispozicion të deputetëve, në respektim të masave të ndërmarra për shkak të situatës pandemike, ju njoftojmë se prezenca mediave në këtë seancë, do të jetë e pamundur”, thuhet në njoftim.

Kuvendi ka njoftuar se seanca do të transmetohet drejtpërdrejt në linqet më poshtë:

Ueb faqes së Kuvendit,

Kanalit zyrtar të Kuvendit në youtube, si dhe

RTK-së, si medium publik.