Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë, në rend dite edhe Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Kuvendi i Kosovës nesër pritet t’i mbaj dy seanca. Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit pritet të mbahet në orën 10:00 me pikat e papërfundua nga seancat e kaluara si dhe seanca e re plenare e cila pritet të mbahet në orën 13:00.

Disa nga pikat të cilat pritet të votohen në vazhdimin e seancës janë votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së dhe votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Për votim kanë mbetur edhe propozim-rezoluta nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Si pikë për tu votuar ka mbetur edhe propozim-rezoluta nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Gjithashtu, pritet të votohet në parim Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19” dhe pritet të bëhen disa zëvendësime të anëtarëve nëpër komisione.

“Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Propozimi i GP të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës. Zëvendësimi i anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e  pandemisë së virusit “COVID-19, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës“, thuhet në njoftim.

Kuvendi diskutimet për këto pika i kishte përfunduar ndërsa në mungesë të kuorumit nuk kishte mundur t’i votonte.

https://kallxo.com/lajm/ligji-per-rimekembje-ekonomike-ngjall-diskutim-ne-kuvend/

https://kallxo.com/lajm/kuvendi-lejon-deficit-me-te-larte-buxhetor/

https://kallxo.com/lajm/mungesa-e-kuorumit-nuk-votohen-dy-rezoluta-te-levizjes-vetevendosje/

Ndërsa pikat e rendit në seancën e re janë:

  1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  2. Pyetjet parlamentare,
  3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
  4. Shqyrtimi i Propozim-amendamentit Kushtetues nr. 26,
  5. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të RTK-së, prej tyre një (1) nga komuniteti serb dhe një (1) nga komunitetet tjera jo shumicë,
  6. Zgjedhja e Avokatit të Popullit.