Ilustrim

Kuvendi i Kosovës miraton vazhdimin e masave emergjente për rrymën

Më 61 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vazhdimin e masave emergjente për furnizimin me energji.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e opozitës, përveç Albena Reshitajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila doli kundër partisë së saj, AAK-së.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, janë larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës e cila ka filluar pas më shumë se një orë ore pauzë me kërkesë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca për të pritur deputetët të cilët ishin të angazhuar në komison.

Me 61 vota, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për edukimin në fëmijëri të hershme.

Pas miratimit të këtyre dy pikave të mbetura, Kuvendi ndërpreu punën për sot.

Për ta arritur kuorumin e nevojshëm, Kuvendi priti disa orë, për shkak se disa deputëtë ishin të angazhuar në komisionin ku kanë qenë duke u intervistuar kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës të enjten nuk e ka arritur ta miratojë vendimin e Qeverisë për vazhdim të masave emergjente për furnizim me energjinë.

Të enjten, pas miratimit në Komision, në rend dite në seancë u fut mocioni për vazhdim të masave emergjente.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, potencoi se muaj më parë disa njësi të KEK-ut kanë qenë jashtë operimit si shkak i ndërhyrjeve.

“Evropa është duke vazhduar të kalojë në krizë energjetike edhe më të rëndë se viti i kaluar. Ne duke qenë se jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet, para disa muajsh kemi pas edhe disa njësi jashtë operimit për shkak të ndërhyrjeve që është dashur të bëhen për përgatitjet për dimër”- tha ajo duke shtuar se kjo ka qenë arsyeja pse kanë kërkuar masa para dy muajsh dhe që po kërkojnë edhe tani.

Ajo po ashtu tregoi se po vazhdon subvencionimi i faturave të energjisë elektrike dhe kjo do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim.

Ministrja Rizvanolli tha se masa emergjente mund të kërkohen sipas ligjit deri në përfundimin e procesit të ngrohjes ose deri në muajin mars.

Por, sipas saj, nëse ju duhet të rishpallin masa emergjente pas këtij afati, do të duhet t’i rishpallin prej fillimit e jo të kërkojnë vazhdim.

Shfuqizohet vendimi i vitit 2018, punëtorët e KEK-ut do të marrin thëngjill në formë dhurate