Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.

Rezoluta u miratua me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Gjatë kësaj pike diskutimi, deputetët e Listës Serbe kanë lëshuar sallën e Kuvendit.

Paraprakisht, deputeti Bahrim Shabani nga koalicioni VAKAT, duke prezantuar rezolutën tha se krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë përbëjnë krim të gjenocidit siç është definuar në Konventën e OKB-së për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sot po e mbështesin rezolutën me rastin e 26-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës.

“Ky është veprim fisnik e i duhur jo vetëm në emër të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, por mbi të gjitha në emër të universales sonë njerëzore, dëshirës sonë për paqe dhe drejtësi”, tha në mes tjerash kryeministri Kurti.

Rezoluta përmban këto 6 pika:

  1. Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.
  2.  Konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat ushtarake të URS, të njëjtat për disa ditë kanë kryer masakra në Srebrenicë dhe rrethinë, duke vrarë e masakruar mbi 8000 burra, djem dhe të mitur boshnjakë.
  3. Ndjen dhe shpreh pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që kanë pësuar në gjenocidin e Srebrenicës, gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe iu shpreh ngushëllime anëtarëve të mbijetuar të familjeve.
  4. Dënon fuqishëm çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.
  5. Fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpall ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
  6. Fton të gjitha shtetet që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.

Në korrik 1995, më shumë se 7 mijë burra dhe djem boshnjakë nga Srebrenica u vranë në një seri masakrash nga forcat serbe të Bosnjës dhe mbi 40,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan – një krim që u klasifikua si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavia dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.