Kuvendi i Kosovës miraton deklaratë mbështetëse ndaj Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën

Kuvendi i Kosovës në një seancë te jashtëzakonshme, më 11.07.2024, ka përkujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës.

Me këtë rast, deputetët kanë miratuar një deklaratë në mbështetje të rezolutës së miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në maj të këtij viti.

Nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, ka prezantuar para deputetëve deklaratën.

“Në mbështetjen e rezolutës së OKB-së për ditën ndërkombëtare të gjenocidit në Srebrenicë; duke përsëritur angazhimin e Kosovës për ruajtjen e stabilitetit; duke rikonfirmuar kundërshtimin e Kosovës ndaj mosndëshkimit të gjenocidit; Kuvendi i Kosovës vlerëson lartë miratimin e Rezolutës nga OKB-ja, dhe vlerëson caktimin e 11 korrikut si Ditë ndërkombëtare e kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme e cila i është kushtuar përkujtimit të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ndërkohë, më 10.07.2024 Qeveria e Kosovës ka votuar që 11 korriku të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Kryeministri, Albin Kurti tha që Kosova i bashkohet memorializimit që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 23.05.2024, miratoi rezolutën me anë të së cilës 11 korriku u shpall Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta bën thirrje për “dënimin pa rezervë të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Krerë të institucioneve shtetërore në Kosovë e kanë mirëpritur miratimin e kësaj rezolute, megjithatë deri në vendimin e datës 10.07.2024, nuk kishin ndërmarrë ndonjë hap që kjo rezolutë të mbështetet edhe në aspektin formal, siç ka ndodhur në vitin 2021 kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë me anë të së cilës dënohej gjenocidi i vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, në frymën e rezolutave që kishte nxjerrë Parlamenti Europian, për të njëjtin qëllim.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në vitin 2021 një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi i vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës.

Në bazë të kësaj rezolute, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

Gjithashtu, më 11.07.2024, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) do të shpalosë në Prishtinë artefakte të viktimave të gjenocidit.

Artefaktet arrijnë në Kosovë përmes BIRN Bosnjë e Hercegovinës dhe do të ekspozohen në Shtëpinë e Gazetarëve (Reporting House), në ish- shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

Artefaktet janë gjësendet e viktimave të gjenocidit që i kanë ruajtur familjarët e viktimave dhe që shpalosen si pjesë e bashkëpunimit që BIRN dhe Prishtina Biennale kanë krijuar me Qendrën e Memorialit të Srebrenicës.

BIRN sjell në Prishtinë artefakte të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës