Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne për hapjen e sesionit të 36-të të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë
Kuvendi i Kosovës më 12.11.2024 ka mbajtur seancë solemne për të shënuar hapjen e sesionit të 36-të të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë fjalimit tha se ky forum ky politik në thelb të funksionit e ka promovimin e bashkëpunimit si dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Ai tha se lidhjet e Kosovës me vendet frankofone janë evidente dhe shumë miqësore.
“Jam i nderuar dhe i lumtur qe Kuvendi është nikoqir i sesionit të 36- të të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Kosova vlerëson dhe mburret me praninë dhe angazhimin aktiv në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, një forum ky politik që në thelb të funksionit e ka promovimin e bashkëpunimit, promovimin e demokracisë e të drejtave të njeriut. Kultura e pasur frankofone ka qenë dhe mbetet inspirim për mbarë botën, përderisa ndikimi i saj është shumë dimensional ”- u shpreh Konjufca.
Pjesëmarrës në seancë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se potenciali i plotë i zhvillimit të mësimit të frëngjishtes në Kosovë, mbetet ende i pa shfrytëzuar.
“Potenciali i plotë i zhvillimit të mësimit të frëngjishtes në Kosovë, mbetet ende i pa shfrytëzuar, prandaj në pritje të samitit të ardhshëm të vitit 2026 ku Kosova synon të aplikoj sërish, qeveria jonë dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë të punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar rënien e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin”- ka thënë ai.
“Gjuha frënge e bëri të njohur në mbarë botën shkrimtarin tonë të madh, të ndjerin Ismajl Kadare. Frëngjishtja është gjuha që foli presidenti i ndjerë dhe lideri i ish lëvizjes pacifiste, Ibrahim Rugova ku gjatë viteve të 90-ta gjeti mbështetje të madhe në mesin e intelektualeve francez”- u shpreh tutje Kurti.
Ai tha se në luftën hibride aktuale në të cilën po jetojmë nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë, prosperitet për të gjithë dhe bashkëpunim të duhur pa trajtuar në mënyrë efektive, manipulimin e informacionit dhe sulmet kibernetike.