Kuvendi i Kosovës mban një minutë heshtje për vdekjen e profesorit universitar Rifat Gjota

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e dr. Rifat Gjotës.

Nderimi për profesorin universitar u bë me kërkesë të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka.

“Kur flasim për efiçiencë, energji, këto ditë ka vdekur prof. dr. Rifat Gjota për të cilin kam dëshirë të mbajmë një minutë zi dhe ju lus që të ngriteni në këmbë”, ka thënë Kokaj.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se kontributi i profesor Rifat Gjotës në shkencë ka qenë i jashtëzakonshëm.

Rifat Gjota ka vdekur më 17 janar 2022.

Gjota është zbulues shqiptar, shkencëtar dhe pedagog, i lindur me 5 maj të vitit 1939 në Pejë.

Ai mbi njëzet vjet punoi në zbulimin e elektromotorit me veti shumë më të përparuara se ai i gjerëtanishëm, i cili kursen energjinë elektrike në përqindje të konsiderueshme, sikurse edhe sasinë e bakrit të nevojshëm për ndërtimin e tij.

Zbulimet e veta i regjistroi (patentoi) në Amerikë, kurse mënyra e ndërtimit të këtyre elektromotorëve quhet “rifatizim”, pra në bazë të emrit të tij.