Kuvendi i Kosovës. 12.09.2024
Miratohet në parim buxheti për vitin 2025
19:22 – LVV propozon që buxheti të votohet në lexim të dytë më 21 nëntor, opozita kundërshton
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka propozuar që votimi i buxhetit të vitit 2025 në lexim të dytë të bëhet më 21.11.2024.
“Deri më 13.11.2024 të dërgohet në komisione. Votimi i buxhetit në lexim të dytë të bëhet më 21.11.2024”- ka deklaruar Muja.
Ndërkaq, kundër këtij propozimi doli deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili citoi disa fjalë të kryeministrit Kurti, të cilat tha se kryeministri i kishtë thënë si opozitar.
“‘Dil kallxo cila është urgjenca me kry buxhetin për dy ditë? Dil kallxo, mos u qaravesh se je kryeministër i vendit’. Janë fjalët që i ka thënë ky në opozitë e po ja përsëris. Dy ditë me ua lënë deputetëve për amendamente”- u shpreh Gashi.
Ngjashëm ka reaguar edhe deputeti nga AAK, Besnik Tahiri, i cili tha se ky propozim “është totalisht i papranueshëm dhe kundër standardit demokratik”.
“Nuk ka asnjë logjikë të jenë vetëm dy ditë me komentu një buxhet që u votu tash me 59 deputetë pro. Totalisht e papranueshme, kundër standardit demokratik”- ka thënë Tahiri.
Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje u miratua me 60 vota për dhe një abstenim.
18:38: Miratohet në parim buxheti për vitin 2025
Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 11.11.2024 kanë miratuar në parim Projektligjin për buxhetin për vitin 2025.
Ky Projektligj u miratua me 59 vota për, ndërsa dy deputetë abstenuan.
Në votimin e buxhetit morën pjesë vetëm deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK ishin të pranishëm gjatë diskutimeve por nuk votuan për buxhetin.
Qeveria më 30.10.2024 ka miratuar Projektligjin për buxhetin për vitin 2025 në vlerë 3.6 miliardë euro.
17:41 – Maqedonci: Sot 1 mijë ushtarakë në Babaj të Bokës kanë ngrënë biftek të klasit të parë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në seancën e 11.11.2024 ka folur serish lidhur me kritikat mbi cilësinë e ushqimit për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai theksoi se ushtarët po furnizohen rregullisht me tri vakte ushqimore të përditshme.
Maqedonci bëri të ditur shujtën e një mijë ushtarëve të vendosur në Babaj të Bokës sot.
“Unë me të vërtetë vlerësoj që fatmirësisht ju jeni të ushqyer me lajme të rreme. Mirëpo ushtarët vazhdojnë të ushqehen me ushqim në tri shujta, dhe sot pikërisht 1 mijë ushtarakë që i kemi në Babaj të Bokës për herë të parë kanë ngrënë biftek të klasit të parë i cili është servuar nga stafi i MP dhe FSK”- shtoi Maqedonci.
Lidhur me ketë çështje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka kritikuar qeverinë.
“Ky zotëria e ka marrë forcën për ta ngritur dhe e ka kthyer në ushtri me një set bajraktarësh. Sipas projektit është dashur të plotësohen kapacitetet, kurse ju këtu i keni stagnuar. Ka një analizë të ekspertëve amerikan nuk e mbështesin projektin e vet qëndrueshmërisë.
14:01 – Polemikë e ashpër mes ministres Nagavci dhe deputetit Rrahmani rreth “Kurrikulës për edukatën seksuale”
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, gjatë deklarimit në seancë plenare ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci të flas për një kurrikulë në arsim, që sipas tij, i mëson fëmijët për edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues.
Ai tha se për të personalisht nuk ka rendësi se ku shkon buxheti i vitit 2025, sa është e rëndësishme mbrojtja e fëmijëve.
“Do të duhej të tregohej sa mjete janë shpenzu për kalimin e ligjit që lejon martesat burri me burrë; sa mjete i janë jep mbrojtjes së komunitetit LGBT, sa mjete ka jep Ministria i Shëndetësisë; sa mjete janë jep për surrogaci që fëmija mos me pasë të drejtë të di kënd e ka babë e nanë. Ish dashtë ministrja Nagavci me tregu se çfarë ka ka bërë me kurrikulen për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues. Në atë kurrikulë mësohen se si mësimdhënësit u tregojnë fëmijëve prej klasës së parë deri në 12-të se si i kryejnë marrëdhëniet e tyre seksuale në shtëpitë e tyre. Çka ju pengon familja? Për mu pak rëndësi ka ku shkon ky buxhet, ka rëndësia mbrojtja e fëmijëve”- shpreh ai.
Nagavci është kundërpërgjigjur duke thënë se Rrahmani po e përdor foltoren për interesa personale ose të një grupi.
“Është për keqardhje të përdoret kjo foltore siç keni bërë gjithmonë për interesa personale apo të një grupi. Kurrikulat tona kanë të bëjnë me edukimin dhe mirëedukimin e vajzave dhe djemve. Pse nuk folët sot për Udhëzimin Administrativ, sepse sot nuk kemi asnjë vajzë që nuk e vijon mësimin. Sa do që jeni munduar të manipuloni me vajza e me familje, nuk e kemi asnjë vajzë që nuk e vijon mësimin. Kurrikulat janë dokumente publike”- ka thënë Nagavci.
“Rrahmani vazhdon të thotë të pavërteta në foltore”- shtoi ajo.
13:30- Bajrami- Muratit: Jam në gjendje të të demantojë 24 orë
Diskutimet lidhur me Projektligjin për Buxhetin për vitin 2025, kanë shkaktuar debate në seancën e 11.11.2024 mes ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ministri Murati fillimisht ka akuzuar opozitën se po i bllokon proceset duke i dërguar ligjet në Gjykatën Kushtetuese.
“Ju po qitni zall në rrota- po pengoni”- i tha Murati, opozitës.
E lidhur me ketë çështje deputetja Bajrami e pyeti Muratin pse nuk e ka përfunduar urën e Badovcit duke i thënë: “Kush është t’u t’pengu, cila Gjykatë Kushtetuese”.
Bajrami i tha Muratit se mund të qëndroi 24 orë në foltore për ta demantuar në çdo argument.
“Inflacionin e kësaj qeverie po e shet si luftë kundër kontrabandës? A e dini që asnjëherë, as ti e as kryeministri nuk e përmendët ngritjen e çmimeve. 22 për qind janë rritur çmimet në mesatare, por çmimi i bukës është rritur 50 për qind. A e din që ke ardhë në pushtet t’u premtu që ke me i liru faturat e energjisë elektrike. Keni dështu! Nuk mundesh me shit propagandë. Për secilin argument që e thu, qëndroj 24 orë në foltore me referenca, me dokumente të tua me të demantu” – u shpreh ajo.
13:12– Murati: Diçka që është shkatërruar për 20 vite, s’mund të rikuperohet brenda një mandati
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se diçka që është shkatërruar për 20 vjet rresht, s’mund të rikuperohet për një mandat.
Ai ka thënë se qeveria e tanishme është e vetmja e cila për katër vite radhazi ka dyfishuar të hyrat tatimore.
“Normalisht që merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti prodhues. Diçka që është shkatërruar për 20 vite, s’mund të rikuperohet brenda një mandati. Thatë që s’ka pasur rritje të të hyrave, sepse rritja e buxhetit të të hyrave ka ndodhur për çdo vit me radhë. Në qeverisjen tonë për katër vite me radhë, ka rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore. Nëse e shikojmë të gjithë dekadën kur keni qeverisur ju, janë vetëm dy vite ku rritja e të hyrave buxhetore ka shënuar rritje dyshifrore. Ka qenë viti 2011 dhe viti 2016. Ndërsa ne jemi qeveria e vetme ku për katër vite radhazi kemi pas rritje dyshifrore të të hyrave tatimore”- deklaroi Murati para deputetëve në seancën ku po diskutohet për buxhetin 2025.
Murati ka folur edhe për çmimet e grurit dhe vajit duke hedhur fajin tek opozita që e kanë dërguar Ligjin për çmimet tavan në Kushtetuese.
“Çmimet bazë për grurin dhe vajin kanë rënë, por çmimi i bukës nuk po bie. A e dini pse nuk po bie? Sepse Ligjin për çmimet tavan e keni bllokuar në Gjykatën Kushtetuese. Qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për bukën për shkakun tuaj.”- ka thënë ai.
12:17- Tahiri numëron “premtimet e papërmbushura” të Kurtit, ia përmend kryeministrit edhe ngritjen e pagës
Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për “Buxhetin 2025”, është shprehur se me vendimin e qeverisë për rritje të pagave më së shumti i është rritur paga kryeministrit.
“Na kanë rritur neve pagat, por më së shumti ju ka rritur paga kryeministrit. Duhet me dal Hekuran Murati me ju kallxu pse nuk e ke rritur vlerën e koeficientit. Është llogaridhënie”- ka thënë Tahiri.
Tutje, ai ka folur edhe për premtimet në sektorin e arsimit, që sipas tij, nuk janë realizuar.
“Ajo që na dhemb më së shumti është që një qeveri që ka premtuar me pas platformën më të mirë, a bon me mi numëru pesë gra apo burra janë kthy në Kosovë e kanë dhënë një kontribut. Hajde çerdhet si kanë lënë komunat, po për katër vjet, a nuk mundemi me i ndreq banjot. Për çka do të mbahet mend kjo qeveri”- ka thënë ai.
Tahiri ka kritikuar qeverinë edhe për projektet infrastrukturore.
“Magjistralja për Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë ende janë duke u punuar. Është interesant me dëgju kryeministrin për një rrugë Tetovë – Prizren që ende nuk është ratifiku në Maqedoni e nuk është në gjendje me buxhetu rrugë që i ka hap e i ka mbyll”- ka thënë ai.
12:10- Hoti: Ndikimi i buxhetit të Qeverisë Kurti në ekonomi është pothuajse zero
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ia ka përmendur Qeverisë Kurti një sërë premtimesh nga programi qeverisës, që sipas tij, nuk janë realizuar.
“Kryeministri nuk i përmendi fare premtimet e dhëna në programin e qeverisë. Në arsim 160 çerdhe, shujta… asnjë nuk është realizuar. Në shëndetësi- sigurimet shëndetësore dhe sistemi informativ shëndetësor. Te privatizimi, mbyllja e AKP-së. Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore … Aeroporti i Gjakovës, rruga për Plavë, hekurudha për Durrës. Buxheti gjatë këtij mandati ka qenë 11.4 miliardë euro”- ka rënditur ai disa nga premtimet që Qeveria Kurti nuk i ka përmbushur.
Në seancën ku po diskutohet për Buxhetin për vitin 2025, Hoti ka thënë se ndikimi i buxhetit të Qeverisë Kurti në ekonomi dhe shoqëri është pothuajse zero.
“Me subvencione mbahen familjet në nevojë, por nuk zhvillohet ekonomia”- ka shtuar ai.
Sipas Hotit gjatë mandatit të Qeverisë Kurti është shtrenjtu energjia, është dyfishuar tatimi në pronë dhe janë rritur çmimet e të gjitha shërbimeve publike.
“Ky buxhet ka së paku dy shkelje ligjore: tek tatimi në pronë dhe Ligji i pagave. E mira është që ky buxhet është tranzitor dhe Qeveria e ardhshme do të ketë prioritet ndryshimin e këtij buxheti”- ka thënë Hoti.
11: 31 – Lushtaku: PDK nuk e voton “buxhetin e mbijetesës”
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për buxhetin e vitit 2025 ka thënë se kjo parti nuk e voton këtë buxhet.
Ai kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me mosmbajtjen e premtimeve që u janë dhënë qytetarëve para zgjedhjeve.
Lushtaku ka thënë se LLV e ka marrë besimin e qytetarëve si privilegj.
“Asnjë projekt madhor nuk bëhet në kohën që ju qeverisni. Në fushata, kryeministri juaj i tanishëm ka premtur që do të rriste eksportin dhe do ta ulte importin. Këta [pushtetarët] besimin e qytetarit e kanë marrë si privilegj dhe po mendojnë që në karrikat e pushtetit do të qëndrojnë përgjithmonë. Fjalimet populiste nuk po i ngopin qytetarët. Po ju del fytyra e vërtetë”- ka thënë ai.
Sipas Lushtakut, tash e katër vite qeveria ka miratuar buxhet të mbijetesës.
“Buxheti i shtetit nuk është hajgare. Tash e katër vite kemi buxhet të mbijetesës. Planifikimi i shpenzimeve është i keq. Në këtë projektligj parashihet rritje e buxhetit, por duhet të theksojmë se në çdo vit ka pas rritje ekonomike. Të pjesa e të hyrave nuk paraqet ndonjë risi”- ka thënë ai.
11:10 – Kurti krenohet me buxhetin 2025: Kemi ndarë 145 milionë euro për fëmijët e nënat lehona
Kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2025, ka thënë se Qeveria e tij ka ndarë 145 milionë euro si mbështetje për fëmijët dhe për nënat lehona.
Ai tha se secila familje në Kosovë do të përfitojë nga kjo mbështetje.
“Në një familje të re që ka tre fëmijë, nëna lehonë përfiton gjashtë muaj nga 170 euro apo 1 mijë e 20 euro gjithsej, ndërsa për fëmijët i marrin nga 90 euro në muaj apo 1 mijë e 80 euro në vit. Asnjë qeveri para nesh nuk ka mbështetur gratë dhe fëmijët. Për këtë kemi buxhetuar 145 milionë euro që shkojnë në arkat familjare të mbi 200 mijë familjeve të Kosovës” – tha Kurti para deputetëve.
Tutje, Kurti ka folur edhe për mbështetjen e Qeverisë për studentët, duke thënë se janë parashikuar mbi 30 milionë euro për ta.
“Në një familje që ka dy studentë, djali që studion dizajnin grafik, e ka semestrin falas dhe është pranuar në punë përmes platformës ‘super-puna’, ku për 6 muaj do të marrë nga 350 euro apo 2 mijë e 100 euro gjithsej. Ndërsa vajza që studion shkenca kompjuterike, e ka po ashtu semestrin falas por merr edhe bursë në vlerë prej 1 mijë euro. Pra mbi 3 mijë e 100 euro mbështetje direkte dhe semestri pa pagesë. Për këtë kemi buxhetuar mbi 30 milionë euro që lehtësojnë barrën e familjeve që kanë studentë, fëmijë apo të rinjë të moshës 18 deri 28 vjeç” – tha Kurti.
Kryeministri tha se në këtë buxhet, sipas tij, është bërë kompletimi i reformës sociale ku për familjet është paraparë që të hiqen kriteret diskriminuese dhe të promovohet punësimi.
“Ky buxhet e shikon familjen si tërësi duke u siguruar që të mirat që vijnë nga rritja ekonomike të shpërndahen tek të gjithë. Me këtë buxhet përfitojnë edhe bizneset edhe ekonomia, sepse sa më shumë para në llogarinë familjes, aq më e madhe kërkesa në ekonomi” – tha Kurti.
10:51 – Kuvendi mban një minutë heshtje për pjesëtarin e FSK-së që vdiq tragjikisht
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të pjesëtarit të FSK-së, Liman Musliu, i cili vdiq dje tragjikisht derisa ishte duke punuar në një objekt banesor në Prishtinë.
Abelard Tahiri nga PDK tha se në pajtim edhe me shefat e grupeve të tjera parlamentare janë dakorduar që të nderojnë Musliun me një minutë heshtje.
Lidhur me rastin tragjik ka reaguar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila ka njoftuar se i ndjeri ishte zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, nga jeta ndahet në poziten zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e FSK-së të lëshuar më 10.11.2024.
Kuvendi i Kosovës sot me 11.11.2024 është mbledhur për të diskutuar për buxhetin e vitit 2025, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë.