Foto: Screenshot nga Seanca e Kuvendit të Kosovës më 30.10.2024.

Kuvendi hedh poshtë rezolutën për gjetjet e DASH-it, shtyn votimin e rezolutës për raportet me SHBA-në

Rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me gjetjet për Kosovën nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) është hedhur poshtë nga Kuvendi i Kosovës me 58 abstenime të deputetëve.

Kjo rezolutë ishte prezantuar më 2 maj 2024 ndërsa u hodh në votim më 30.10.2024.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk ishin të pranishëm gjatë votimit të kësaj rezolute.

Një pikë tjetër e rendit të ditës nga seancat e kaluara ishte edhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E njëjta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së deputetit i cili e ka paraqitur këtë rezolutë, Xhavit Halitit të PDK-së. 

Kryetari Glauk Konjufca tha se e njëjta shtyhet për një seancë tjetër, meqë Haliti mungon për shkak të një rasti të vdekjes në familje.

“Deputeti Haliti ka pas me prezantu rezolutën, por ai ka një rast. I ka vdek nëna. I shprehim ngushëllime deputetit Haliti. Shqyrtohet një herë tjetër” – u shpreh Konjufca. 

Edhe shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimin e institucioneve të sigurisë, u shty për një rast tjetër për shkak të mungesës së PDK-së në seancë si popozuese e rezolutës. 

Kuvendi i Kosovës, ndërkohë ka vazhduar me shqyrtimin e një serë pikash të papërfunduara nga seancat e zhvilluara gjatë këtij viti.

Në seancën e mbajtur më 30.10.2024, Kuvendi e miratoj Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028, Projektligjin në parim për menaxhimin e resurseve ujore etj.