Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com
Kuvendi fut në rend të ditës ndryshimin e ligjit që mundëson bartjen e të hyrave vetanake te komunat
Kuvendi i Kosovës përmes një mocioni ka plotësuar rendin e ditës, për të mundësuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave.
Kthimi i këtyre mjeteve është kërkesë tash e disa muaj i kryetarëve të komunave por edhe partive opozitare që deri pak ditë më parë kushtëzuan votimet në Kuvend pikërisht me zgjidhjen e këtij problemi.
Kuvendi këtë çështje pritet ta adresojë sot përmes Shqyrtimit të projektligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.
“Pikë kjo të jetë e 10-ta me radhë në seancë. Me arsyetimin që të mundësohet bartja e të hyrave vetanake të komunave që kanë mbetur pa u bartur nga 2022 dhe po ashtu do të behet bartja e një programi nga Ministria e Mbrojtjes tek ajo e Brendshme”- ka thënë deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari – Lila.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më 25 maj u janë rikthyer votimit në Kuvendin e Kosovës pas dakordimit që kanë arritur me Qeverinë lidhur me çështjen e të hyrave vetanake të komunave.
Deri atëherë, partitë opozitare patën bllokuar disa procese votimi për shkak të këtij konflikti të hapur mes Qeverisë dhe komunave për çështjen e financimit vetanak të komunave.
Zhbllokimin e këtyre mjeteve e kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët muajin e kaluar patën kanë zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.
Zhbllokohet puna në Kuvend, LDK e AAK pajtohen me qeverinë për të hyrat vetanake të komunave