Kuvendi fillon nga pika zero diskutimin rreth Projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës po diskutohet rreth Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se do të duhet ta kthejnë diskutimin në pikën zero dhe se i njëjti projektligj ishte dërguar në Komisionin e Venecias i cili i ka kthyer opinionet e veta.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paraqitur qëndrimin lidhur me këtë projektligj.

Haxhiu ka thënë se ky projektligj është iniciativë e ministrisë për fuqizim të ligjit.

“Në opinionin e  Komisionit të Venecias përmendet që ky projektligj është iniciativë e ministrisë së drejtësisë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përforcimin e sistemit të konfiskimit në Kosovë. Po ashtu Komisioni i Venecias vënë në dukje se futja e konfiskimit civil pa dënim është menduar të jetë një masë e rëndësishme për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila konsiderohet e nevojshme nga autoritetet në rrethana aktuale në Kosovë”, tha ministrja Haxhiu.

“Komisioni i Venecias duke u referuar në një opinion për Bullgarinë ka vërjetur se ka një tendencë të kohëve të fundit për të përdorur procedurat e konfiskimit civil pa dënim si mjet për rikthimin e të ardhurave nga krimi dhe kjo më së shpeshti edhe pse jo ekskluzivisht vërehet në vendet e bazuara në praktikë gjyqësore”, shtoi ajo.

Haxhiu ka theksuar se Komisioni i Venecias referohet edhe në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që miratojnë konfiskimin në parim.

“Komisioni i Venecias referohet edhe në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që miratojnë konfiskimin në parim, përfshirë konfiskimin civil pra, pa dënim. Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë konfiskimit civil” ka deklaruar ministrja.

Tutje ajo është zotuar se do të adresojë rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias.

“Sot e shprehi zotimin tim, në emër të Qeverisë së Kosovës që jemi të pajtimit me rekomandime që ka dhënë Komisioni i Venecias dhe jemi të gatshëm që secilin prej rekomandimeve që ky komision i ka dhënë për projektligjin për byronë, të adresojnë”, u shpreh Haxhiu.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë se ky është një ndër projektligjet më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.

“E ritheksoj se ky është një ndër projektligjet më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe në përcaktimin e një standardi të lartë të veprimit dhe të normave të etikës në kuadër të ushtrimit të profesioneve me përgjegjësi”, tha Kusari Lila.

Ajo ka thënë se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme është obligim shtetëror.

“Konfiskimi i pasurisë së pa justifikueshme është obligim i shtetit të së drejtës dhe nevojë e shoqërisë me të cilën do të avancohet rrugëtimi drejt integrimit në BE dhe i njëjti do të ju shërbejë nevojave institucionale të vendit”, ka theksuar Kusari Lila.

Votimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme ishte shtyrë në seancën e Kuvendit e cila ishte mbajtur në shkurt të këtij viti, për një afat të pa caktuar, deri në kthimin e përgjigjes nga Komisioni i Venedikut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca me kërkesë të opozitës ka thënë se do t’i drejtohet Komisionit të Venedikut për këtë projektligj.