Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi e voton Projektligji për Inspektime, synohet reforma në inspektime

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligji për inspektimet.

Jeta Statovci nga komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ta se hartimi i një ligji unik për inspektime është praktik e zakonshme në shumë shtete të ndryshme si pikë fillestare për përmirësimin e sistemit të inspektimeve.

Sipas saj ky projektligj i ka 29 amendamente.

“Qëllimi është të përcaktoj parimet e inspektimit, rregullat për organizimin e organeve inspektuese në kompetencë të administratës shtetërore dhe komunave si dhe rregullat për koordinimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurën e inspektimit”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se 29 amendamentet do të votohen një nga një.

Sipas votimeve nga ana e deputetëve të gjitha amendamentet kanë kaluar. Gjithashtu projektligji në tërësi ka kaluar me 67 vota për 10 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërkaq, shqyrtimi i dytë i Projektligji për inspektimet ishte pika e vetme e rendit të ditën në seancën plenare.

Rreth një javë më parë, Kuvendi i Kosovës e kishte shqyrtuar dhe miratuar në lexim të parë këtë projektligj.

Sipas raportit final të përgatitur nga Qeveria e Kosovës Projektligji për Inspektimet ka për qëllim krijimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për zbatimin e reformës së inspektimeve në Republikën e Kosovës përmes racionalizimit të numrit të organeve inspektuese në administratën shtetërore, sqarimin e kompetencave të tyre përkatëse, përmirësimin e koordinimit dhe unifikimin e procedurave si dhe kërkesave për zhvillimin e inspektimeve nga organet inspektuese në administratën shtetërore dhe nivelin komunal.

Ky ligj përcakton parimet e inspektimit, rregullat për organizimin e organeve inspektuese në kompetencë te administratës shtetërore dhe komunave, rregullat për koordinimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurën e inspektimit.

Ky ligj zbatohet për të gjitha funksionet e inspektimit në kompetencë të administratës shtetërore dhe komunave në Republikën e Kosovës, përveç: inspektimit doganor dhe tatimor, inspektimit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, inspektimit të brendshëm me karakter administrativ në administratën shtetërore dhe komunale, inspektimet nga Inspektorati Policor, inspektimet për siguri publike në kuadër të ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme.