Kuvendi e miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2021

Me 69 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Gjatë kësaj seance, deputetët e opozitës e kanë kritikuar qeverinë se ky projektligj është bërë mbi baza politike.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Bedri Hamza, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se Projektligji për ndryshim – plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, e karakterizon diskrepanca mes programit të qeverisë dhe buxhetit.

Sipas Hamzës, premtimet e shkruara dhe prezantuara në programin e qeverisë i cili është diskutuar në këtë Kuvend nuk janë të reflektuara në buxhet.

“Çdo premtim, e projekt të cilit i mungon konstruksioni financiar, ai mbetet i parealizuar të paktën për vitin 2021. Nuk do të ketë rritje të pagave, nuk do të ketë rritje të pensioneve, nuk do të ketë fillim të implementimit të numrit të konsiderueshëm të fondeve që janë mbi dhjetëra fonde të propozuara dhe prezantuara në programin e qeverisë”, tha Hamza.

Hykmete bajrami deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar rishikimin e buxhetit duke thënë se ky buxhet fare nuk e reflekton programin e qeverisës.

Pal Lekaj deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se rishikimi i buxhetit për vitin 2021 është i ndërtuar kryekëput mbi baza politike.

Ai tha se ky rishikim i buxhetit i cili po trajtohet sot për votim në Kuvend mund të jetë gjithçka, por jo i barabartë.

“Këtë rishikim të buxhetit e keni krijuar me qëllim që të përfitoni politikisht. Nuk i keni marr për bazë nevojat e qytetarëve tanë por e keni shikuar vetëm interesin tuaj politik që të përfitoni më shumë vota. Kjo është e padrejtë sepse ka vetëm një të dëmtuar e ai është qytetari i Kosovës”, tha Lekaj.

Ndërsa, deputeti Armend Mujsa shtoi se Komisioni për Buxhet në disa mbledhje të mbajtura e ka shqyrtuar projektligjin dhe në  mbledhjen e mbajtur së fundmi është diskutuar që këtë ligj duhet të mbështetet në tërësi dhe të njëjtën e ka rekomanduar edhe në mbledhjen e Kuvendit.