Kur pritet të trajtohet nga Kuvendi peticioni për tërheqjen e mjeteve nga Trust-i

Kuvendi i Kosovës, në fillim të sesionit vjeshtor do ta trajtojë nismën legjislative të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë nënshkruar peticione për Projektligjin për Trust-in.

Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun, e Kuvendit të Kosovës e ka konfirmuar për KALLXO.com se kjo çështje do të trajtohet nga 12 shtatori e tutje.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror 2022. Referuar nenin 124 të Rregullores së re të Kuvendit, kjo çështje do të trajtohet me fillim të sesionit vjeshtor (12 shtator e tutje)” – thuhet në përgjigjen e Kuvendit drejtuar KALLXO.com.

Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës ishin dorëzuar nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trust-in, i cili do tu mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjese të parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Këto nënshkrime iu janë nënshtruar verifikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com, se pas kërkesës nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, këto peticione iu janë nënshtruar verifikimit dhe rezulton se mbi 17 mijë nënshkrues të peticionit janë qytetarë me të drejtë vote të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com, ka shkruar se subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), janë shprehur se do ta përkrahin këtë nismë legjislative, duke përmendur se është domosdoshmëri që qytetarëve t’iu ipet kjo mundësi në këtë krizë ekonomike.

Verifikohen mbi 17 mijë nënshkrime të qytetarëve për tërheqjen nga Trust-i