Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi: Deputetët e dorëhequr nuk marrin më paga

Kuvendi i Kosovës ka sqaruar se kur një deputet jep doreheqje, nga ajo ditë i pushojnë të gjitha të drejtat që mund të kishte përfituar si ish-deputet, përfshirë edhe pagën kalimtare deri në 12 muaj.

Fjala është për dhjetë deputetë nga radhët e Listës Serbe që dhanë dorëheqje këtë muaj nga pozita e tyre.

“Kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo me ndërprerje të mandatit, deputetët e legjislaturës përkatëse gëzojnë të drejtën në pagë kalimtare deri në një sistemim të ri, më së shumti 12 muaj” – ka bërë të ditur Kuvendi i Kosovës përmes një postimi në “Facebook”.

Dhjetë deputetë nga radhët e Listës Serbe, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Të mërkurën, dhjetë të rinj janë betuar në Kuvendin e Kosovës duke marrë mandatet për të zëvendësuar deputetët e dorëhequr.

Në Kuvendin e Kosovës u betuan nëntë deputetë të Listës Serbe që janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe.

Ndërkaq mandat mori edhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.