Kuvendi debaton për qeverisjen katërvjeçare të Kurtit 

Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës do të mbaj debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.

Seanca është caktuar të mbahet më 02.12.2024, në ora 10:00.

Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Tahiri ka thënë se AAK e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme që kërkesa e tyre për të pasur debat në Kuvend rreth kësaj teme të trajtohet, në mënyrë, që sipas tij, “të shpërfaqet qeverisja e dështuar e Kurtit”.

Ai ka deklaruar se për katër vjet Qeveria Kurti nuk ka përmbyllur asnjë projekt dhe se paligjshmëria është normuar edhe në buxhet dhe në fusha të tjera përgjatë këtij mandati qeverisës.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka theksuar se kjo seancë do të jetë ndër më të rëndësishmet e kësaj legjislature të Kuvendit.

Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.