Mbledhja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, 30.01.2026

Kuvendet Komunale të Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut votojnë sërish për largim nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut dhe ai i Zubin Potokut miratuan sërish vendimin për largimin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kjo pikë ishte votuar edhe më 18.12.2025, ndërkaq kërkesa ishte kthyer mbrapa nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me arsyetimin se “procedura nuk kishte qenë e rregullt”.

Kështu bëri të ditur, Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nemanja Bishevac me ç’rast me 12 vota për dhe dy kundër, u votua sërish largimi i kësaj komune nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, të premten, më 30.01.2026.

Kundër këtij vendimi u shpreh zëvendës-kryesuesja Aida Doli Ferati. e cila potencoi se përfshirja e komunës në asociacionin e lartpërmendur është e domosdoshme.

Për ta ushtruar të kundërtën, ajo thotë se nga komunarët nuk u thirrën debate publike në mënyrë që të vendosin të gjithë qytetarët nga komunitetet e ndryshme.

“Secili jeni thirrur që është për të mirë e qytetarëve, s’po e pranoni që e keni politike. A e dini sa të mirat i merr kjo komunë prej këtij Asociacioni? Ju nuk e keni për qytetarët, e keni për çështje politike. A e keni pyetur komunitetin shqiptar? A keni mbajt ndonjë tubim me qytetarë ku flitet për dalje nga ky Asociacion? Ju po i shkelni procedurat”- potencoi Doli- Ferati.

Në anën tjetër, asamblisti i iniciativës qytetare “Veriu për të gjithë”, Marko Jaksiq ua lë në dorë qytetarëve ta mbrojnë ose kundërshtojnë një gjë të tillë.

“Nëse ekziston dëshira mes qytetarëve që të gjithë qytetarët të shprehen për këtë çështje, më pas mund të kërkojmë që dikush në këtë seancë të marrë vendim mbi pyetjen se a do të bëhemi pjesë e ndonjë asociacioni”- tha ai.

Largimi i komunave nga AKK u miratua edhe në Zubin Potok.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes, Vedat Mehmeti.

“Po është votuar. Vetëm dy vota kanë qenë kundër”- tha ai.

Qysh në fillim të mbledhjes së rregullt të Kuvendit Komunal, të mbajtur më 18.12.2025, kërkesa e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq ishte tërheqja e kësaj komune nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Çdo aderim i mëtejshëm në ndonjë asociacion tjetër apo vendim i ngjashëm duhet të vendoset nga vetë qytetarët. Qytetarët na kanë dhënë mandatin, qytetarët na kanë dhënë besimin, ne punojmë në interes të qytetarëve. Prandaj i ftoj të gjithë këshilltarët të votojnë për daljen e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës”- kishte thënë ai.

Për votimin e katër komunave veriore të Kosovës për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, kishte folur edhe udhëheqësi i kësaj organizate, Sazan Ibrahimi.

Ai kishte thënë për KALLXO.com se, Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizatë vullnetare, anëtarësimi në të cilën bazohet në vendimin e lirë dhe autonom të secilës komunë, në përputhje me Statutin e AKK-së dhe parimet e vetëqeverisjes lokale.

Sipas tij, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, AKK ka qenë dhe vazhdon të jetë platforma kryesore e bashkëpunimit ndërkomunal, duke ofruar: përfaqësim institucional të komunave në nivel qendror dhe ndërkombëtar, mbështetje profesionale dhe ligjore për komunat, ngritje të kapaciteteve përmes trajnimeve dhe kolegjiumeve profesionale, zbatim të projekteve të rëndësishme me mbështetje të partnerëve ndërkombëtar dhe shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në qeverisjen lokale.

Kryetari i AKK-së deklarohet pas tërheqjes së Komunave veriore, thotë se anëtarësimi bazohet në vendimin e lirë të secilës komunë

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kishin votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim erdhi pasi Lista Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, riktheu pushtetin duke fituar në këto katër komuna.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptar.