Protesta e aktivistëve në përkrahje të grevës së punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.

'Kuvendarë mos u fshehni' – Dhjetëra aktivistë protestojnë para Kuvendit në përkrahje të punëtoreve greviste

“Kuvendarë mos u fshehni”, “Qeveritarë mos u fshehni”, “Mos i mbyllni veshët”, “Schafberger shtyp punëtorët, Kuvendi e lejon” – ishin disa prej thirrjeve që Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bën para Kuvendit të Kosovës në përkrahje të punëtoreve teknike që janë në grevë prej 16.09.2024.

Ato po kërkojnë që paga e tyre të jetë rreth 500 euro, e jo 275 sa e kanë aktualisht.

Aktivistet e aktivistët përmes protestës së tyre u bën thirrje kuvendarëve e qeveritarëve që të marrin parasysh kërkesat e punëtoreve.

“Me 275 euro, qysh me i mbajtë na fëmijët” – patën thënë me zhgënjim 14 gratë e moshës së mesme ditën kur nisën grevën.

Përfaqësuesja e punëtoreve, Nazife Krasniqi kishte thënë se 275 euro janë të pamjaftueshme për një person e lëre më për ato që mbajnë familje.

“275 euro vetëm sallën plenare me mirëmbajtë e me mbajtë në rregull janë pak 275 euro. E jo që ka komisione që janë ka 10 në ditë e administrata e hapësira tjera. Është e papërballueshme për neve”- ishte shprehur ajo për KALLXO.com.

Përfaqësueset e grevisteve dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, u takuan me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin dhe këshilltarin e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ilir Kërçelin, më 20.09.2024.

Pas këtij takimi ishte paralajmëruar shkëputja e kontratës se legjislacionit me kompaninë që angazhon punëtoret – “Schafberger”.

Megjithkëtë u tha se deri në shkëputje të kontratës, greva do të vazhdojë. E deri më tani, kjo shkëputje nuk ka ndodhur.

Këto punëtore kishin protestuar edhe më 09.07.2024. Nazife Krasniqi kishte thënë se nuk kërkojnë asgjë më shumë, vetëm aq sa ju takon me ligj.

KALLXO.com ka tentuar disa herë që të marrë një përgjigje nga kompania, por e njëjta nuk ka ofruar përgjigje.