Kushtrim Sheremeti. Foto: Facebook

Kushtrim Sheremeti nënshkruan kontratë pune me Ministrinë e Kulturës për drejtor të Teatrit Kombëtar

Aktori Kushtrim Sheremeti ka nënshkruar sot me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kontratën e punës për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TTK).

Sheremeti do të jetë në krye të TKK-së për katër vjet.

Zyrtarizimi i Sheremetit në krye të Teatrit Kombëtar vjen pasi komisioni i ankesave në MKRS refuzoi ankesat e dy kandidatëve të tjerë që kishin konkurruar për këtë post.

Në një prononcim për KALLXO.com Kushtrim Sheremeti ka pranuar se ka nënshkruar kontratën si drejtor i TKK-së.

“Po, sot e kam nënshkruar kontratën në MKRS si drejtor i TKK-së”, ka thënë ai.

Zyrtarizimi i Sheremetit në krye të TKK-së është konfirmuar edhe nga zyrtarë të MKRS-së.

“Sheremeti ka nënshkruar sot kontratën si drejtor i TKK-së”, ka thënë Bislim Bislimi, zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së.

Më 16 shkurt 2022, Këshilli Drejtues i TKK-së zgjodhi Sheremetin si kandidatin më të suksesshëm për drejtor të TKK-së, pas përfundimit të proceduarve të konkursit për zgjedhjen e drejtorit.

Por, zyrtarizimi i tij në këtë post u shty për shkak të ankesave të dy kandidatëve që kishin konkurruar në këtë konkurs.

Avni Dalipi dhe Xhemail Agaj, dy kandidatët që kishin synuar postin e drejtorit të TKK-së, u ankuan në komisioni e ankesave për zyrtarët publikë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për parregullsi gjatë procesit të testimit dhe intervistave.

Dyshimet e ngritura, përveç tjerash, janë se njërit prej kandidatëve i janë shkelur të drejtat e barabarta dhe kishte pasur komente fyese nga njëri prej anëtarëve të Këshillit Drejtues, i cili sipas ligjit interviston kandidatët konkurrues. Por, ankesat e tyre u refuzuan si të pabazuara.

Pas këtij vendimi, Agajt dhe Dalipit u mbetet mundësia që të ankohen në gjykatën kompetente.

Hedhja poshtë e ankesës së Agajt dhe Dalipit nga ana e komisionit të ankesave i hapi rrugë zyrtarizimit të Kushtrim Sheremetit si drejtor i TKK-së.

Në garë për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, përveç Kushtrim Sheremetit ishin edhe Avni Dalipi, Xhemail Agaj e Blerim Krasniqi.

Sipas Ligjit për teatrot, drejtori i përgjithshëm i TKK-së zgjidhet nga Këshilli Drejtues për një mandat 4-vjeçar.

Aktori Kushtrim Sheremeti ka përfunduar Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ndërsa ka luajtur një sërë rolesh në shfaqje teatrale.

Sheremeti ka qenë edhe këshilltar i ish-ministrit të Diasporës, Valon Murati.

Kushtrim Sheremeti drejt kreut të Teatrit Kombëtar

Dyshimet për parregullsi shtyjnë epilogun e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Teatrit Kombëtar