Isa Mustafa

Kushti i Isa Mustafës: Kryeministri i takon LDK-së ose nuk ka koalicion me VV-në

Duke i komentuar deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk bëjnë koalicion me asnjë parti që i kushtëzon me postin e kryeministrit.

“Me asnjë subjekt politik, jo vetëm me Vetëvendosjen, ne nuk do të hyjmë në asnjë koalicion parazgjedhor duke hequr dorë nga pozita e kryeministrit pasi llogarisim që jemi parti e parë, llogarisim që dimë të qeverisim, kemi përvoja por nuk e nënçmojmë asnjërën parti”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Ai ka thënë se LDK-ja do të hyjë në qeveri vetëm nëse e ka postin e kryeministrit.

“Sa i përket LDK-së duhet të jemi të qartë: ose shkojmë me kusht që LDK-ja me pas postin e kryeministrit, ose shkojmë veç e veç apo nuk shkojmë hiq ne si LDK në qeveri, por i mbajmë parimet tona”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se zyrtarët e Vetëvendosjes e kanë thjeshtëzuar çështjen e koalicionit në poste.

“Nëse një koalicion thjeshtëzohet në këtë formë pastaj është vështirë që të gjendet edhe përmbajtja e koalicionit”, ka thënë Mustafa në një intervistë dhënë RTV21.

Sa i përket koalicioneve të mundshme, Mustafa ka thënë se LDK-ja mund të bëjë qeverinë e re me Vetëvendosjen apo ndonjë alternativë tjetër. Por, ai e ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimit me PDK-në.

Kryetari i sapo zgjedhur i LDK-së e ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e qeverisë.