Kushtetuesja vendos për rastin e Tinka Kurtit dhe Drita Millakut
Gjykata Kushtetues e Kosovës ka konstatuar në aktgjykimin e datës 26 mars 2021, se dy ish-kandidateve për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Tinka Kurti dhe Drita Millaku, në zgjedhjet e 2019, u ishin shkelur të drejtat dhe janë diskriminuar në momentin kur ato nuk ishin lejuar të bëheshin deputete për të zëvendësuar deputetët që ishin emëruar në pestë ministrore apo komunale.
Përmes një njoftimi kushtetuesja ka bërë publike vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 26 mars 2021.
Sipas këtij vendimi ndajë dy kandidateve, Tinka Kurti dhe Drita Millaku është bërë diskriminim gjinor, duke ua shkelur të drejtat e njeriut, pas zëvendësimit të deputetëve.
Sipas Kushtetueses kërkesat janë parashtruar nga dy kandidate (Tinka Kurti dhe Drita Millaku) për deputete nga subjekti politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV) – të cilat pretendonin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP)dhe Gjykata Supreme kanë zbatuar në mënyrë kundërkushtetuese mënyrën e zëvendësimit të deputetëve të përcaktuar me nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Gjykata vëren se, sipas interpretimit që këtij neni u është bërë nga KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, të gjitha zëvendësimet ishin bërë bazuar në kriterin e “gjinisë” dhe pa e marrë parasysh rezultatin e arritur nga kandidatët për deputetë pas plotësimit të kuotës obligative ligjore për përfaqësim prej 30% të gjinisë së nënpërfaqësuar ose gjinisë fermore.
Kësaj mënyre të zëvendësimit të paraparë me ligj, sipas Gjykatës Supreme, nuk kanë mundur t’i shmangen as KQZ, as PZAP e as Gjykata Supreme ngase ekziston supozimi se ligjet janë në pajtim me Kushtetutën dhe se ato duhet zbatuar ashtu siç janë, “deri sa nga Gjykata Kushtetuese të konstatohet se një ligj ose ndonjë dispozitë ligjore e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”.
Gjykata rikujton që, bazuar në mënyrën e zëvendësimit të aplikuar nga KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, deputetët burra ishin zëvendësuar nga kandidatët burra për deputetë dhe deputetet gra ishin zëvendësuar nga kandidatet gra për deputete – përkundër faktit që parashtrueset e kërkesave kishin marrë më shumë vota se disa nga kandidatët burra që arritën të zgjedhën deputetë të Kuvendit.
“Parashtruesja e parë, Tinka Kurti kishte mbledhur 7,655 vota dhe parashtruesja e dytë, Drita Millaku kishte mbledhur 7,063. Gjykata Kushtetuese konstatoi se, interpretimi i këtij neni nga ana e KQZ-së, PZAP-së dhe Gjykatës Supreme nuk është interpretim i saktë dhe kushtetues për disa nga arsyet vijuese – të cilat janë gjerësisht të shtjelluara në Aktgjykim. Gjykata konstatoi se KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, e kanë interpretuar nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në mënyrë të ngurtë e tekstuale dhe të shkëputur nga të gjitha normat e tjera ligjore të parapara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Barazi Gjinore si dhe parimet, vlerat dhe frymën e shkronjës e Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Pos sipas këtij vendimi Gjykata konstatoi se, parashtruesja Tinka Kurti është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% përmes rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia e zëvendësimit të deputetëve, e njëjta edhe pse kishte më shumë vota se kandidatët burra për deputetë Fitim Haziri dhe Eman Rrahmani, nuk iu mundësua që të bëhej deputete.
Më tutje, Gjykata gjithashtu konstatoi se, parashtruesja Drita Millaku është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% nëpërmjet rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia për zëvendësimet e ardhshme të deputeteve, përkatësisht kur dha dorëheqje deputeti Shpejtim Bulliqi, në vend të tij, në bazë të përcaktimit për zëvendësim në kuadër të gjinisë së njëjtë, më 18 dhjetor 2020, mandat deputeti mori kandidati Taulant Kryeziu me 6,968 vota.
“Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi që: Aktvendimi [AA. nr. 4/2020] i 19 shkurtit 2020, i Gjykatës Supreme; Aktvendimi [AA. nr. 3/2020] i 19 shkurtit 2020, i Gjykatës Supreme; Vendimi i PZAP [Anr. 35/2020] i 13 shkurtit 2020; Vendimi i PZAP [Anr. 36/2020] i 13 shkurtit 2020; si dhe pika 5 e Vendimit të KQZ [nr. 102/A-2020] i 7 shkurtit 2020, janë në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 3 (E Drejta për Zgjedhje të Lira) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja konstatoi se për arsye objektive dhe në interes të sigurisë juridike, ky Aktgjykim nuk mund të prodhojë efekt juridik prapaveprues në lidhje me mandatet e deputetëve.
Në këtë aspekt, Gjykata sqaron se ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike nuk prek të drejtat e palëve të treta të fituara në bazë të vendimeve të anuluara me këtë Aktgjykim.
Megjithatë, sipas Kushtetuese kjo nuk nënkupton që ky Aktgjykim është thjesht deklarativ dhe pa asnjë efekt.
“Efekti i parë i këtij Aktgjykimi është shfuqizimi i vendimeve të kontestuara të Gjykatës Supreme, PZAP-it dhe KQZ-së, si të papajtueshme me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, në aspekt të interpretimit të nenit 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Përmes shfuqizimit të këtyre vendimeve, ky Aktgjykim sqaron për të ardhmen se, bazuar në një lexim të saktë dhe kontekstual të nenit 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, zëvendësimi i kandidatëve për deputetë duhet të bëhet në atë mënyrë që: së pari, të sigurohet përfaqësimi minimal në masën 30% të gjinisë së nënpërfaqësuar (gjinisë pakicë), e cila nuk mund të vihet në pikëpyetje në asnjë moment; dhe së dyti, në rastet kur kuota gjinore prej 30% është përmbushur bazuar në rezultatin zgjedhor (siç ishte rasti konkret), atëherë zëvendësimet e kandidatëve për deputetë duhet të bëhen në bazë të rezultatit zgjedhor, pa u kufizuar në aspektin e zëvendësimit në bazë të gjinisë së njëjtë, përderisa nuk rrezikohet minimumi i përfaqësimit të gjinisë së nënpërfaqësuar”, thuhet në aktgjykim.
Ndërkaq efekti i dytë që ky Aktgjykim mundëson, thuhet më tej në vendim, ka të bëjë me të drejtën që iu lind parashtrueseve të kërkesave ose palëve të tjera që mund të preken nga ky Aktgjykim, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij të fundit.
“Këtyre palëve iu lind e drejta për shfrytëzimin e mjeteve të tjera juridike në dispozicion për realizimin e mëtejmë të të drejtave në përputhje me gjetjet e këtij Aktgjykimi dhe praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së të cituar në këtë Aktgjykim”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetuese për rastin kandidateve për deputete të LVV nga zgjedhjet e 2019, Tinka Kurti dhe Drita Millaku.
Kushtetuesja në seancën shqyrtuese të mbajtur më 26 mars 2021, shqyrtoi edhe disa kërkesa tjera, të cilat ose u shpallën të papranueshme ose u hodhën poshtë.