Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtetuesja vendos për pagesën e 11 milionë eurove për rrymën në veri

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në lidhje me rastin e ndarjes së 11 milionë eurove për shpenzimet e rrymës në komunat veriore të vendit, vendim ky i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në maj të këtij viti.

Gjykata fillimisht ka sqaruar se objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetutshmëria e aktit të kontestuar të Kuvendit të 6 majit 2021. Vendimin e plotë e gjeni në këtë LINK. 

Gjykata ka vendosur që akti i kontestuar i Kuvendit është në pajtueshmëri me nenin e Kushtetutës “Barazia para Ligjit” si dhe ka vendosur që të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme dhe atë seancë dëgjimore.

Kuvendi kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.

Gjykata tutje ka konstatuar se nxjerrja e aktit të kontestuar të Kuvendit ka rezultuar në dallim në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër katër komunat veriore të Kosovës, megjithëse ka theksuar se ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe të arsyeshëm” dhe rrjedhimisht, nuk rezulton në diskriminim sepse, është i përcaktuar me ligj, ka ndjekur një qëllim legjitim dhe  është proporcional, si dhe për pasojë, nuk është nxjerrë në papajtueshmëri me nenet 24 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi i Kuvendit ishte dërguar në Kushtetuese nga deputetët e PDK-së, prirë nga deputetja Blerta Deliu-Kodra.

PDK dërgon në Kushtetuese vendimin e Kuvendit për pagesën e energjisë elektrike në veri

www.kallxo.com