Ndërtesa e Telekomit të Kosovës Foto: KALLXO.com

Kushtetuesja refuzon ankesën e Telekomit ndaj vendimit të Apelit

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Telekomit të Kosovës dhe kërkesën për vendosje të masës së përkohshme që të parandalohet ekzekutimi i aktvendimit të Gjykatës së Prishtinës, e cila ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimin e borxhit milionësh.

“Kolegji shqyrtues propozoi që, të refuzohet kërkesa e parashtruesit për vendosjen e masës së përkohshme dhe që në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 39 (1)(b) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme”, thuhet në komunikatën e Kushtetueses.

Telekomi e kishte dërguar çështjen në Kushtetuese, duke u ankuar për aktvendimin e Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 22, 24 dhe 31.

Fillimisht Telekomi i Kosovës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, por ankesa ishte refuzuar duke lënë kështu në fuqi vendimin e Gjykatës themelore.

Ankesa ishte parashtruar ndaj vendimit të Gjykatës së  Prishtinës me të cilin ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të kompensimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar  se kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Marrëveshja e arritur në vitin 2017 ishte zbatuar pjesërisht. Më vonë, Telekomi i Kosovës iu ka referuar se borxhi i mbetur nga “Z-Mobile” është rreth 25 milionë euro, mirëpo asnjëherë nuk i kanë publikuar detajet e uljes së borxhit.

Telekomi i Kosovës kishte vendosur të mos e vazhdojë më kontratën me “Dardafone” për operatorin vitual “Z-Mobile”.

Pas këtij vendimi, në nëntor të vitit 2019 “Z-Mobile” kishte paralajmëruar padi të re kundër Telekomit të Kosovës.