Kushtetuesja përcakton afatet për komentet lidhur me dekretin e Thaçit

Gjykata Kushtetuese njoftoi se sot deri në orën 12:00 do t’i pret komentet për caktimin e masës së përkohshme për dekretin që presidenti Hashim Thaçi ia bëri Avdullah Hotit të LDK-së si kandidat për kryeministër.

Dje 30 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dërguan në Kushtetuese dekretimin që Thaçi ia bëri Hotit për kryeministër.

“Në kërkesën e parashtruar, deputetët parashtrues kanë kërkuar nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullim të zbatimit të Dekretit në fjalë”, bëhet e ditur në komunikatën e Gjykatës dërguar për media.

Me qëllim të shqyrtimit urgjent, Gjykata ka bërë të ditur se dje u ka dërguar shkresat njoftuese përmes së cilave ka kërkuar nga palët e përfshira që: “a) Komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 1 maj 2020, në orën 12:00. b) Komentet përkitazi me meritat e kërkesës, t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj 2020, në orën 16:00“, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se njoftimi për regjistrimin e kërkesës së parashtruar nga deputetët dhe për dorëzimin e komenteve i është dërguar, presidentit të kryeministrit, kryetares së Kuvendit të Kosovës, me kërkesën specifike që kopja e kërkesës t’u dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe Avokatit të Popullit.