Foto: Ilir Meta/Facebook

Kushtetuesja përfundon seancën për shkarkimin e Metës

Gjykata Kushtetuese përfundoi seancën të hënën ku u shqyrtua kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta. Nga ky moment, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të dhënë vendimin.

Seanca për presidentin ishte shtyrë për këtë javë, pas kërkesës së përfaqësuesve të presidentit, të cilët kërkuan kohë që të paraqisnin argumentet e tyre pas 70 pyetjeve të drejtuara kësaj pale nga trupi gjykues i Kushtetueses.

Ekipi ligjor i presidentit Meta paralajmëroi se po përgatit një padi lidhur me, siç tha, manipulimet e dokumenteve të Kuvendit.

Në seancën e fundit, përfaqësuesit e presidentit kundërshtuan procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti për ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit, duke argumentuar se ngritja e vetë Komisionit ishte shkelje e Kushtetutës.

Deputetët e Partisë Socialiste kishin themeluar një Komision hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve qendrore në prill të vitit 2021.

Deputetët, pas gjetjeve të Komisionit, më 9 qershor të vitit 2021, kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit me 104 vota, duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë.”

Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë e parasheh shkarkimin e presidentit nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Sipas këtij neni, propozimi për shkarkimin e presidentit, në raste të tilla mund të bëhet nga të paktën një e katërta e anëtarëve të kuvendit apo 35 deputetë nga 140 sa i ka Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Ai këtë deklaratë e bëri pasi shkarkimi i tij u votua në një kohë kur opozita e Shqipërisë kishte djegur mandatet e veta ne Kuvend.

Ato (mandatet) ishin zëvendësuar nga një opozitë tjetër, nga persona të partive përkatëse, por që nuk kishin marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë në zgjedhje.

Në rast të një shkarkimi të mundshëm, Meta automatikisht nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë dhe rolin e tij e merr kreu i Kuvendit.

Meta është zgjedhur President më 28 prill 2017 me 87 vota, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën e drejtonte vetë Meta.

Mandati i presidentit është pesëvjeçar dhe roli i tij është kryesisht protokollar./REL