Foto: KALLXO.com

Kushtetuesja nis shqyrtimin e ankesës së Vetëvendosjes për Presidentin Thaçi

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka filluar shqyrtimin e ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për deklaratën për rezistencë ndaj masave të qeverisë Kurti nga ana e Presidentit Hashim Thaçi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Veton Dula drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim.

“Kjo lëndë tashmë është proceduar nga Gjykata dhe tani është në fazën fillestare të shqyrtimit”, ka thënë Dula.

Më 5 maj Lëvizja Vetëvendosje përmes nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet për veprimet e presidentit Hashim Thaçi i cili kishte deklaruar se qytetarët dhe policia nuk janë të obliguar t’i përmbahen masave të qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Kurti, të marra për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Më 23 mars Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti kishte mare vendim për vendosjen e ‘orës policore’ për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Po atë ditë, presidenti Thaçi përmes një konference për media kishte thënë se policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti.

Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar si anti-kushtetues masën e Qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes së qytetarëve.

Thaçi: Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti