Kushtetuesja lë në mjegull Haradinajn për vendimet në dorëheqje

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkesën e Ramush Haradinajt në lidhje me kompetencat dhe funksionimin e Qeverisë pas dorëheqjes e ka konsideruar të papranueshme.

Kushtetuesja në një përgjigje për kërkesën e Haradinajt ka thënë se kjo nuk është në fushëveprimin dhe juridiksioni9n e Gjykatës Kushtetuese.

“Objekt i çështjes së kërkesës ishte interpretimi i aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimi i kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit. Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.  Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi:  TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme”, thuhet në komunikatën e kushtetueses.

Ramush Haradinaj me 29 korrik i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar pas dorëheqjes së tij.

“Unë kam dorëzuar në Gjykatë kërkesë për një interpretim të dorëheqjes sime. A nënkupton kjo dorëheqje apo jo një vazhdim të kujdestarisë së kryeministrit. Megjithatë për me qenë në anën e ligjit sot i kam dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë”, ka deklaruar Haradinaj atë ditë.