Kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha

Kushtetuesja ia refuzon kërkesën Sylë Hoxhës për statusin ‘’ish-Zyrtar i Lartë’’

Ish-ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, nuk do të mund t’i gëzojë benefitet që u takojnë ish-zyrtarëve të lartë të shtetit.

Pasi tre shkallë të gjykatave ia kishin refuzuar kërkesën Hoxhës për këtë status, ai iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e gjykimit të fundit për këtë çështje, atë të Gjykatës Supreme. Edhe Kushtetuesja nuk i dha të drejtë.

Më 21 prill, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si të drejtë vendimin e Supremes, duke ia larguar përfundimisht Hoxhës mundësinë për të përfituar këtë status.

Sipas Ligjit për Përfitimin e ish- Zyrtarëve të Lartë, përfitues të këtij statusi realizojnë pagë mujore në lartësi prej shtatëdhjetë për qind të pagës aktuale të pozitës përkatëse.

Sylë Hoxha përmes kësaj kërkese ka pretenduar në Gjykatën Supreme, në vendimin e 16 prillit, i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore si; Barazia para ligjit, E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Mbrojtja gjyqësore e të drejtave të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese këtë lëndë e caktoi tek gjyqtarët ; Gresa Caka- Nimani si gjyqtare raportuese, dhe kolegji i përbërë nga Bajram Latifaj, Safet Hoxha, dhe Radomir Laban.

Sylë Hoxha kishte kërkuar fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’i njihej statusi i ish zyrtarit të lartë, bazuar në atë se ka qenë ish- Kryeprokuror dhe sipas ligjit ish- Kryeprokurori i shtetit konsiderohet ish-zyrtar i lartë, ashtu si konsiderohen “ish-zyrtarë të lartë” ish-Kryeministri, dhe ish-Kryetarët e Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në shkresat e lëndës dhe duke qenë se KPK-ja nuk kishte nxjerrë ndonjë, shkrese ish- prokurori Sylë Hoxha, kishte dorëzuar në KPK edhe një parashtresë të re, duke kërkuar që t’i njihet e drejta në përfitimet e caktuara përmes Ligjit për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë në cilësinë e “ish-zyrtarit të lartë”, përkatësisht të ish-ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Shtetit.

Sepse gjatë ushtrimit të funksionit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për më shumë se gjashtë 6 muaj, ai i kishte kryer të gjitha obligimet e përgjegjësitë dhe kishte ushtruar të drejtat sikurse të ishte emëruar Kryeprokuror i Shtetit me dekret presidencial.

Por, ai nuk ishte i emëruar nga Presidenti dhe për këtë arsye Gjykata Themelore e Prishtinës, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme kanë refuzuar kërkesën e tij pasi që me Ligj dhe Kushtetutë kërkohet që të jetë i emëruar nga Presidenti, e gjithashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese u vlerësua se nuk e kishte fituar statusin e ish-zyrtarit të lartë , siç përcakton neni 3 i Ligjit për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë.

Pasi Gjykata e Apelit për këtë rast kishte vendosur duke e refuzuar ankesën e Sylë Hoxhës dhe duke e vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore, Zyra e Kryeprokurorit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme me datë 16 prill 2019 kishte vendosur duke e refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së Zyrës së Kryeprokurorit ,gjykata kishte vlerësuar se Sylë Hoxha nuk e plotësonte kriterin për të fituar statusin ish- zyrtar i lartë pasi që nuk ishte dekretuar nga Presidenti.

Ashtu siç është përcaktuar përmes paragrafit 7 të nenit 109 të Kushtetutës dhe nenit 3 të Ligjit për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka dhënë arsyet për arritjen e këtij konkluzioni.

‘’ Gjykata thekson se përkundër faktit që neni 3 i Ligjit për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë i referohet vetëm dy kushteve për përfitimin e të drejtave që burojnë nga ky ligj, përkatësisht “ushtrimit” të funksionit dhe atë për një periudhë 6 gjashtë mujore, dhe emërimin e tij nga ana e presidentit, këto kushte duhet interpretuar në lidhje me nenin 2 dhe ndryshimeve përkatëse të të njëjtit ligj dhe sipas të cilit këtë të drejtë, e kanë vetëm një numër shumë i limituar i ish zyrtarëve publik, përkatësisht ish-Kryetari i Kuvendit, i Gjykatës Kushtetuese, dhe i Gjykatës Supreme dhe ish-Kryeministri e ish-Kryeprokurori”, thuhet në vendim.

Gjykata gjithashtu ka theksuar dallimin ne mes ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit dhe Emërimin e Kryeprokurorit nga ana e pPesidentit.

Kushtetuesja gjeti se ish prokurori Sylë Hoxha kishte plotësuar kriterin e parë për ushtrim detyre të Kryeprokurorit për periudhën 6 muaj , por jo edhe kushtin e dytë që duhet të ishte emëruar nga Presidenti për t’iu njohur statusi i ish- Zyrtarit të Lartë.

Gjithashtu, gjykata nuk gjeti shkelje të neneve që i ka pretenduar ish- prokurori Sylë Hoxha, dhe me këtë arsyetim gjykata vendosi kërkesën si të papranueshme.