Kushtetuesja i jep të drejtë Kuvendit, lidhur me rastin e shkarkimit të Agron Bekës nga pozita e anëtarit në KPK

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur lidhur me Kërkesën e kushtetutshmërisë së vendimit të 15 dhjetorit 2023 të Kuvendit të Kosovës, për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas Gjykatës, ky vendim i Kuvendit të Kosovës nuk është në kundërshtim me Nenet e Kushtetutës së Kosovës.

“Gjykata, ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë Kërkesën të pranueshme dhe (ii) të konstatojë se Vendimi (nr. 08-V-668) i 15 dhjetorit 2023 i Kuvendit nuk është në kundërshtim me Paragrafin 9 të Nenit 65 (Kompetencat e Kuvendit), si dhe Paragrafin 4 të Nenit 110 (Këshilli Prokurorial i Kosovës) të Kushtetutës.”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, tutje është bërë e ditur se shkarkimit të Bekës i kishte paraprisë një rekomandim i Komisonit Parlamentar.

“Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial i kishte paraprirë Rekomandimi [nr.08/4446/Do-1994] i 28 shtatorit 2023 i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, përmes të cilit ky i fundit i kishte rekomanduar Kuvendit, shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit joprokuror, duke u bazuar në gjetjet e këtij Komisioni Parlamentar.” – thuhet në njoftim.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga Abelard Tahiri dhe nëntë deputetë të tjerë.

Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, më 15.12.2023. Pro shkarkimit të tij nga kjo pozitë kanë votuar 62 deputetë.

Në votimin e kësaj Pike nuk kanë marrë pjesë deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK.

Kuvendi e shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Vendimi për inicimin e procedurës së shkarkimit të Agron Bekës ishte marrë në mbledhjen e 28 shtatorit nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka quajtur të paligjshëm shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Agron Bekës, KPK-ja e pati quajtur tentativë politike për të ndërhyrë në përbërjen e anëtarëve të këtij trupi – siç thuhet më tej në njoftim – duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh e argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues e ligjor.

KPK-ja thotë se Kuvendi bëri shkelje ligjore me shkarkimin e Agron Bekës