Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtetuesja e refuzon kërkesën e Listës Serbe për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Qeverisë Kurti

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e subjektit politik Lista Serbe, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Qeverisë Kurti II, për emërimin e Elbert Krasniqit ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Lista Serbe i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese nën pretendimin se zgjedhja e Qeverisë Kurti II, nuk ishte bërë në përputhje me Kushtetutën, sepse sipas tyre ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili vije nga komuniteti egjiptian, ishte zgjedhur pa konsultimin e shumicës së deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë.

Çështja kryesore që ngërthen ky rast ndërlidhet me mënyrën e caktimit të ministrave që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Qeveri.

Igor Simić, deputet nga radhët e Listës Serbe, i cili është parashtruesi i kërkesës, kishte thënë se kryeministri Albin Kurti kishte shkelur Kushtetutën e vendit me emërimin e vetëm një ministri nga Lista Serbe.

Sipas Simić, Listës Serbe do të duhej t’i takonin t’i udhëheqtë dy ministri.

Lista Serbe, pretendonte se është detyrim kushtetues në rast se Qeveria përbëhet nga më tepër se dymbëdhjetë ministri, që caktimi i ministrit të “tretë” në Qeveri nga komunitetet jo shumicë, të bëhet pas konsultimit/miratimit nga shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvend.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese pas vlerësimit, ka nxjerrë vendimin me ç‘rast është konstatuar se Kushtetuta i mundëson diskrecion mandatarit për kryeministër, përkitazi me radhët e komuniteteve përkatëse, nga të cilët mund të zgjidhet një ministër i tretë, duke mos përcaktuar detyrimisht që ky ministër duhet të propozohet/miratohet nga deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë.

Sipas këtij vendimi, Kushtetuta përcakton se në këtë rast duhet të ndiqet procedura e njëjtë përkatësisht konsultimi/miratimi i “komunitetit në fjalë”, prej nga vjen ministri.

Në rrethanat e rastit konkret, sipas Gjykatës Kushtetuese, kandidati i propozuar për ministër ishte deputet i Kuvendit dhe për pasojë miratimi formal i tij nuk ishte detyrim kushtetues.

Lista Serbe nuk voton Qeverinë Kurti 2, kërkon dy ministri