Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtetuesja e kthen në Supreme rastin e licencave të "Kelkos"-it

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin pas kërkesës për vlerësim të aktgjykimit të Gjykatës Supreme në rastin e ‘pezullimit të përkohshëm të lejeve dhe licencave të KelKos Energy të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë’.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, aktgjykimi i Gjykatës Supreme për pezullimin e përkohshëm të lejeve dhe licencave të Kelkosit nuk kishte adresuar asnjë argument por vetëm kishte miratuar qëndrimin e Gjykatës Themelore.

“Pas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, kjo e fundit hodhi poshtë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore, duke kthyer në fuqi masën e përkohshme, përkatësisht pezullimin e vendimeve të kontestuara të MEA-së dhe ZRRE-së, deri në vendimmarrjen përfundimtare të gjykatave të rregullta përkitazi me ligjshmërinë e vendimeve të kontestuara”- thuhet në vendim.

Fillimisht Gjykata Themelore kishte vendosur për pezullim të përkohshëm të lejeve dhe licencave të Kelkos Energy’  por Gjykata e Apelit, pas ankesës së MEA-së dhe ZRRE-së, kishte kthyer çështjen në rivendosje në Themelore.

Themelorja përsëri kishte vendosur për të pezulluar ekzekutimin e vendimeve të kontestuara deri në zgjidhjen meritore të çështjes. Por Gjykata e Apelit pastaj kishte prishur vendimin e Gjykatës Themelore dhe kishte vendosur në favor të ankesës së MEA-së dhe ZRRE-së, respektivisht, duke e shfuqizuar masën e përkohshme përkatëse.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme [ARJ.UZVP.Nr.74/21], i 28 korrikut 2021, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Supreme.

KËTU mund të lexoni vendimin e plotë.