Kushtetuesja anulon vendimet e tri gjykatave për tarifat nxitëse

Gjykata Kushtetuese ka kthyer në rivendosje vendimin e tri gjykatave të rregullta për padinë Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për tarifat nxitëse.

Ky vendim i Kushtetueses është marrë pas kërkesës së kompanive “Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosove LLC” dhe “Building Construction LLC” për kushtetutshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, gjykatat e rregullta kanë vendosur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kushtetuesja me këtë rast ka shpallur të pavlefshëm vendimet e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Themelore.

Gjykata Themelore kishte aprovuar si të bazuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar. Më pas Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, duke vepruar sipas ankesës dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm, respektivisht, miratuan qëndrimin e Gjykatës Themelore.

Në kohën kur Vetëvendosje kishte dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore kishte kërkuar pezullimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike.

Sipas padisë së LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripërtërishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkikë.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me vota unanime kishte miratuar vendimin për ndërprerjen e aplikimit të skemës mbështetëse përmes tarifave nxitëse për burimet e ripërtëritshme, pas vendimit të Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe kërkesës së vazhdueshme të Sekretariatit të Komitetit të Energjisë.

Në nëntor të vitit 2020, Komisioni i Ndihmës Shtetërore e kishte konfirmuar hulumtimin e Emisionit “Jeta në Kosovë” duke gjetur se skema e aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për tarifa nxitëse për 20 megavat energji solare është e kundërligjshme. Nga ky vendim i ZRrE-së përfitonin edhe 4 biznese në pronësi të Blerim Devollit me bazë në Maltë.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se skema e aprovuar nga ZRrE, është e kundërligjshme, duke qenë se ka marrë vendim në lidhje me të, pa e njoftuar dhe pa pasur autorizim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore për përshtatshmërinë e saj me ligjin, duke shkelur kështu nenin 3 të Ligjit për Ndihmën Shtetërore”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky Komision.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore që ka kompetencë të lejojë dhe të anulojë vendime që konsiderohen ndihmë shtetërore nuk e kishte autorizuar këtë vendim të ZRrE-së. Për më tepër, Komisioni kishte kërkuar nga ZRrE-ja që mos të zbatojë këtë skemë mbështetëse.

Përfaqësuesi ligjor i ZRrE-së, Afrim Ajvazi para bordit kishte thënë se konstatimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore se ZRrE kishte shmangur obligimin për të njoftuar këtë Komison, ishte pak diskutabil.

Ajvazi kishte numëruar të gjitha arsyet e propozimit për ndërprerjen e aplikimit të tarifave nxitëse për burimet e ripërtëritshme.

“Kemi propozuar që të ndërpritet si rezultat i arsyeve të ndryshme, prej Sekretariatit kërkohet që të ndërpriten tarifat nxitëse, arsye tjetër janë caqet e përcaktuara me Udhëzim Administrativ që janë deri në fund të vitit 2020, dhe më pas priten caqet e reja për 2021-2030, arsye tjetër është që na ka shty është vendimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore që ka obliguar ZRrE-në që mos ta implementojë vendimin e vitit 2019”, kishte thënë Ajvazi.

Më tej, përfaqësuesi ligjor i ZRrE-së, Afrim Ajvazi kishte deklaruar se me përkrahjen Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka filluar projekti për përcaktimin e procedurave të ankandit që do të realizohen në përputhje me caqet e reja 2021-2030.

Përveç që u ndërpre aplikimi i skemës mbështetëse përmes tarifave nxitëse për burimet e ripërtëritshme u ndërpre edhe pranimi të aplikacioneve për t’u trajtuar me hyrjen në fuqi të këtij vendimi të ZRrE-së.

Vendimi i ZRrE-së për tarifa nxitëse ishte pezulluar me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të vërtetuar nga Apeli e më pas edhe nga Gjykata Supreme (tashmë të anuluar nga Gjykata Kushtetuese) si dhe nga vendimi i Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Në prill të muajit 2020, emisioni “Jeta në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavatë dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavatë të tjerë.

Pak ditë pas transmetimit të hulumtimit në “Jeta në Kosovë”, Komisioni i Ndihmës Shtetërore kishte filluar procedurën për vendimin e ZRrE-së për vënien në zbatim të kësaj skeme më 8 maj 2020, pas informatave që kishte pranuar nga “Jeta në Kosovë”.

Komisioni përveç kërkesës për mos-zbatim të vendimit për skemën mbështetëse ka kërkuar nga ZRrE-në që me qëllim të përafrimit me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore të lidhur me Burimet e Ripërteritshme të Energjisë (BRE) të fillojë rishikimin e kornizës ligjore duke i hapur rrugë mekanizmave konkurrues të bazuar në kritere të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese të ofertimit (p.sh. formave te ndryshme te ankandeve) në përzgjedhjen e përfituesve nga skemat mbështetëse, dhe zëvendësimin gradual të feed-in tarifës me feed-in primet (ose ngjashëm) komfor praktikave të mira dhe në favor të interesit publik.

Hulumtimi ka zbardhur skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitonin nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Blerim Devolli kishte arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare duke u fshehur mbrapa bizneseve të ndryshme të regjistruara në Maltë, vend i njohur për fshehje të përfituesve të fundit të bizneseve.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli nga dy vendime të ZRrE-së, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitonin tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i kishte miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.

Kundër vendimit të ZRrE-së të vitit 2019 që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse kishin dalë edhe atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, USAID, Ambasada gjermane, Zyra e BE-së në Kosovë e Sekretariati i Energjisë.

KËTU mund të gjeni hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” i cili është transmetuar në emisionin “Jeta në Kosovë”.