Kushtet e Alternativës Demokratike Shqiptare në Serbi për t’iu bashkuar qeverisë së Vuçiqit

Sot Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte mbajtur takim me përfaqësuesit e listës elektorale Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar, që përbëhet nga pesë parti politike.

Argjend Bajrami, i cili do të përfaqësojë komunitetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, ka njoftuar se takimi ishte zhvilluar me kërkesë të Vuçiqit në Beograd.

Ai ka njoftuar se Presidentit Vuçiq i kanë paraqitur katër kushte që të marrin pjesë në qeverisjen e tij.

Bajrami ka njoftuar se koalicioni ka paraqitur kërkesë që të marrin drejtimin e një Ministrie, apo më saktësisht Ministrinë e Pushtetit Lokal, si dhe kanë kërkuar të kenë tre pozita tjera shtetërore që janë: Ndihmësministrin e Ekonomisë, pozitën e Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Arsimit dhe kryetarin e Trupit Koordinues.

Sipas deputeti Bajrami, këto 4 kushte janë të ndërlidhura ngushtë me problemet tona kryesore që i kanë gati 20 vite.

“Shpresojmë që Presidenti Vuçiq  e ka kuptuar qasjen serioze të këtij koalicioni dhe presim përgjigje”, ka thënë ai.

Përpos këtyre kërkesave për këto pozita, në një letër që i kanë paraqitur Presidentit Vuçiq përfaqësuesit e listës elektorale Alternativa demokratike shqiptare, kanë paraqitur edhe katër prioritetet që duhet të ketë Qeveria e re e Serbisë për komunitetin shqiptar.

Integrimi i shqiptarëve në institucione shtetërore, zgjidhjen e problemeve në arsim, zhvillimin ekonomik të rajonit, zgjidhjen e çështjeve të institucioneve gjyqësore dhe integrimin e plotë të shqiptarëve në Trupin Kordinus, janë kërkesat e Alternativës Demokratike Shqiptare për Presidentin Vuçiq.

Këto kërkesa sipas tyre  vijnë si pasojë e gjendjes së vështirë në të cilën gjendet shqiptarët në Serbi, si pasojë e saj edhe ka migrim masiv të Shqiptarëve nga këto rajone dhe zgjidhja e këtyre çështjeve është e domosdoshme për një bashkëpunim në të ardhmen.