Qeveria Hoti

Kushtet dhe sigurimi shëndetësor për policët shkaktojnë polemika mes Hotit dhe deputeteve të VV-së e PDK-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se kanë diskutuar me Sindikatën e Policisë sa i përket kërkesave të tyre për shtesa për shkak të angazhimit në kohë të pandemisë.

“I kemi evidentuar edhe orët shtesë të vitit të kaluar, edhe shtesën e rrezikshmërisë. Po bisedojmë për koston e shujtës për policët që i kemi angazhuar për 12 orë në kohë të pandemisë”, tha Hoti sot në Kuvend, ku edhe debatoi me deputetet e Kuvendit te Kosovës, Ganimete Musliu nga PDK-ja dhe Fatmire Kollçaku nga LVV-ja.

“Këto çështje i kemi dakorduar me sindikatën, disa zgjidhen menjëherë siç janë pagesa e orëve shtesë, shtesa për rrezikshmëri dhe besoj për disa javë, brenda muajit do të marrim vendim edhe për shujtën në bazë të kostos që ka”, ka theksuar kryeministri, duke shtuar se orët shtesë dhe shtesa e rrezikshmërisë për policët paguhen me pagën e shtatorit.

Kreu i qeverisë foli edhe për sigurimet shëndetësore për zyrtarët policorë.

“Ndërkaq për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm besoj që nga viti i ardhshëm do të bëjmë një zgjidhje sistematike afatgjate”, tha Hoti.

Çështja e kërkesave të policëve është ngritur sot në Kuvendin e Kosovës, nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

“Kur thua menjëherë caktoje orën datën kur do të merret ai vendim. Policia e Kosovës po përballet me probleme shumë serioze në terren. Duhet të kemi prioritet tash në kohë të pandemisë”, i tha ajo Hotit.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku, tha se pas bisedës me përfaqësues të Sindikatës së policisë, i janë drejtuar me letër shqetësuese kryeministrit.

“Po shohim që kjo qeveri ilegjitime nuk po i përmbush jo vetëm kërkesat e policëve, por dhe pensionisteve shëndetësorë. Po bëhen edhe dallime të mëdha duke mos u përfshirë rrezikshmëria në punë”, tha ajo.

Pas kësaj ka reaguar sërish kryeministri Hoti.

“A e din ku e keni hallin ju? Ju doni me u ballafaqu me mu, me shajt këtë qeveri, s’ju intereson problemi i policëve. Këtu është problemi. Nëse është insistimi i deputetes që me tregu kohën datën me i marrë këto shtesa, e mirëkuptoj insistimin e juaj por mënyra si po e shtroni, fare nuk keni të drejtë. Unë e kam gjetur situatën me 390 euro pagë bazë të policëve që dalin në rrugë”, tha Hoti.

Kryeministri shtoi se gjatë kohës së pandemisë policët janë nxjerrë në rrugë për 12 orë.

“I keni mshelë njerëzit tre muaj gjatë kohës së pandemisë brenda në shtëpi dhe krenoheni pse numrat nuk janë rritur”, tha Hoti lidhur me qeverinë Kurti.

Më pas reagoi edhe deputetja e LVV-së.

“A ka hipokrizi më të madhe të thuash se i keni nxjerrë 12 orë policët në rrugë, kur ju keni qenë zëvendëskryeministër i qeverisë”, tha Kollçaku.