Nijazi Thaçi, drejtor i KEK-ut

Kushëriri i Thaçit që u shkarkua nga Qeveria Kurti nesër në Gjykatë

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nijazi Thaçi, nesër do të jetë në seancë gjyqësore në lidhje me shkarkimin e tij nga pozita e kryeshefit.

KALLXO.com merr vesh se seanca në lidhje me vendimin për shkarkimin e Nijazi Thaçit nga pozita e kryeshefit pritet të mbahet nesër në orën 9 të mëngjesit në Gjykatën e Prishtinës.

Seanca e parë në lidhje me këtë rast ishte thirrur fillimisht me 24 qershor, mirëpo pastaj ishte shtyre për 9 korrik.

Nijazi Thaçi ishte shkarkuar nga Bordi i Përkohshëm i KEK-ut në prill të këtij viti.

Mirëpo, me një vendim të Inspektoratit të Punës, Thaçi ishte kthyer në punë.

“Vendimi i tillë i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve për ndërprerje të marrëdhënies së punës, pa provë të vërejtjeve me shkrim, për përformancë të dobët dhe pa prova tjera të shkeljes së kryerjes së detyrave të punës, është e padrejtë dhe bie ndesh me dispozitat ligjore dhe praktikat gjyqësore dhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, thuhej në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Bordi i Qeverisë Kurti shkarkon kushëririn e Hashim Thaçit

Pas kësaj rasti kishte përfunduar në Gjykatë Themelore të Prishtinës.