Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kushëriri i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje punësohet në KEK
Në listën e gjatë të të përzgjedhurve për disa pozita brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) është një familjar i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi.
Fatos Thaçi, familjar i Halil Thaçit është punësuar për pozitën “manipulues i shiritave transportues” .
Deputeti Thaçi në një prononcim për KALLXO.com ka pohuar se e ka kushëri, por ka mohuar se ka pasur ndikim në punësimin e tij.
“Nuk është djali i axhës tim, e kam kushëri, shoka [brezi] a tretë e kushërinjve. Ndikimi i deputetit në ndërmarrjet publike, me 14 shkurt 2021 ka përfundu. Nuk ka e as nuk do të ketë deputeti ndikim. Edhe pse unë pata fatin që qëllova i Obiliqit, nuk kam asnjë ndikim as më të vogël. Krejt kjo zhurmë që po bëhet, është për me e mbulu suksesin e Qeverisë Kurti”, u shpreh Thaçi.
Në nëntor të vitit 2021, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte shpallur konkurs për 150 pozita; 45 teknikë të makinerisë, 9 teknikë të elektroteknikës, 4 teknikë të elektroteknikës, 2 zjarrfikës, 9 teknikë të kimisë, 50 manipulues të shiritave transportues, 11 inxhinierë të makinerisë, 2 inxhinierë të makinerisë, 1 inxhinier të elektroenergjietikës, 3 inxhinierë të elektroteknikës, 6 inxhinierë të elektroteknikës, 5 inxhinierë të elektroteknikës, 2 teknologë përgjegjës për përgatitjen kimike të ujit , 1 inxhinier gjeodezisë.
Por më 1 prill u publikuan rezultatet e vetëm 128 kandidatëve.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar gjatë ditës së djeshme duke mohuar “përfshirjen në punësime partiake”.
Sipas reagimit të LVV-së, asnjë zyrtar i tyre nuk e ka askënd aty [KEK], duke paralajmëruar edhe padi për raportimet që janë bërë duke përmendur emrin e Vetëvendosjes.
“Lëvizja njofton opinionin publik se nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike. Asnjë zyrtar i LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të LVV-së, Arlind Manxhuka.
KEK përmes një komunikate për media pati reaguar se po përcjell me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.
Në reagimin e tyre thuhet se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të “korrigjohen gabimet e evidentuara”.
“Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”, thuhej në reagimin e KEK-ut para pak ditësh.
“Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, vazhdonte njoftimi i KEK-ut.
Më 4 prill 2022, Prokuroria njoftoi se ka iniciuar hetime për këto punësime.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal për 128 vendet e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).