Kush po i helmon nxënëset në Iran?

Më shumë se një mijë vajza janë prekur nga ato që autoritetet thonë se janë sulme të qëllimshme me gaz toksik.

Është e vështirë të imagjinohet se jeta e përditshme mund të duket më kërcënuese për gratë dhe vajzat në Iran, shumë prej të cilave, prej muajsh tashmë, kanë qenë në ballë të protestave kundër regjimit të shkaktuara nga vrasja e një gruaje 22-vjeçare në shtator të këtij vendi – nga e ashtuquajtura policia e moralit – për mosmbajtjen e papërshtatshme të vellos së saj. Diç më vonë, u shfaqën helmimet.

Rreth një mijë vajza në të gjithë Iranin janë shtruar në spital pas sulmeve misterioze me gaz në shkollat e tyre. Detajet e sakta të helmimeve – dhe kush mund të jetë pas tyre – janë ende të paqarta, por incidenti i parë i dukshëm ndodhi në nëntor, në qytetin Qom, në jug të Teheranit. Që atëherë, më shumë se 30 shkolla janë përballur me sulme të ngjashme në të gjithë Iranin, ku shumica e helmimeve kanë ndodhur brenda javës së kaluar. Vajzat e hospitalizuara kanë vuajtur nga simptoma të ndryshme, të tilla si vështirësia për të marrë frymë, rrahje të fortë e të shpeshta zemre dhe mpirje në gjymtyrët e tyre.

Megjithëse shumë zyrtarë dhe aktivistë kanë thënë tani se është e qartë se sulmet ishin të qëllimshme, ka pak konsensus se çfarë kimikate, saktësisht, janw përdorur; nxënësit kanë raportuar se kanë nuhatur “gaz lotsjellës”, “mandarina” apo “kimike” në shkollat e tyre përpara se të sëmuren. Alireza Monadi-Sefidan, kryetar i komisionit parlamentar të arsimit, tha më 28 shkurt se Ministria e Shëndetësisë kishte identifikuar gaz azot në disa prej shkollave. (Ka pasur gjithashtu spekulime se disa nga rastet mund të jenë rezultat i “sëmundjes masive sociogjenike”, në të cilën simptomat shumë reale kanë një shkaktar psikologjik – siç është ankthi – dhe jo një të tillë fizik.)

Në Iran pati pak mbulim të sulmit fillestar në nëntor (liria e shtypit është e kufizuar rëndë në këtë vend pas viteve të represionit), por ndërkohë që numri i incidenteve është rritur ditët e fundit, po ashtu është rritur edhe zemërimi i publikut. Kur zyrtarët iranianë më në fund u nxitën për t’i adresuar sulmet, disa i fajësuan grupet fetare ekstremiste. Më 26 shkurt, zëvendësministri i shëndetësisë Younes Panahi tha se është “e qartë se disa njerëz donin që të gjitha shkollat, veçanërisht shkollat e vajzave, të mbylleshin”. Sulmi fillestar i dukshëm që po ndodh në Qom – një qytet i shenjtë që është shtëpia e shumicës së klerit të lartë – me sa duket i jep njëfarë besimi kësaj teorie.

E, megjithatë shumë aktivistë e kanë fajësuar vetë regjimin për sulmet, duke argumentuar se targetimi i nxënëseve është një dënim specifik për rolin e spikatur që ata e kanë luajtur në demonstratat që nga shtatori. Ndonëse protestat kanë qenë të përhapura dhe kanë marrë mbështetje nga të gjitha segmentet e shoqërisë, janë gratë dhe vajzat ato që e kanë udhëhequr lëvizjen nën thirrjen tubuese “gratë, jeta, liria”, duke i hequr me guxim shamitë e tyre nga koka dhe duke i djegur në rrugë. Regjimi iranian, ndwrkohw, ka shpenzuar muaj të tërë për t’i shtypur demonstratat: autoritetet kanë rrahur dhe vrarë ata që demonstronin; protestuesit janë arrestuar, dënuar, madje edhe ekzekutuar për rolin e tyre në lëvizje. Helmimi i qindra nxënëseve – qoftë në shenjë hakmarrjeje ose si një mjet për t’i trembur ato nga pjesëmarrja e mëtejshme në demonstrata – nuk duket aq larg nga dhuna që shumë aktivistë, gazetarë dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se regjimi tashmë e mbështetet.

Pavarësisht se kush qëndron pas helmimeve, nëse motivi i tyre përfundimtar është ta trembin publikun që të mos protestojë, duket se kanë bërë llogari të gabuara. Më 4 mars Reuters raportoi se dhjetëra prindër të nxënësve protestuan në Teheran dhe qytete të tjera anembanë vendit kundër reagimit së dobët zyrtar nga autoritetet; Protestat u zhvilluan shpejt në protesta kundër regjimit, me thirrje që i krahasonin forcat e sigurisë së vendit me Shtetin Islamik. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se autorët e sulmeve duhet të “dënohen rëndë”, megjithatë ka pak besim se regjimi do ta ndjekë një hetim të plotë./Newstateman

Përgatiti: Nuhi Shala