Kush po i "bllokon" kontejnerët e mbeturinave në Kryeqytet?

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar masa ndaj Ndërmarrjes “Pastrimi”, pasi të njëjtit pretendojnë se kjo Kompani ka dështuar në kryerjen e detyrave të saj. 

Përmes një komunikate për media, të lëshuar sot, më 13.02.2025, Komuna akuzon Ndërmarrjen “Pastrimi” se ka dështuar të shpërndajë kontejnerët e rinj për mbeturina, që u janë dorëzuar dhe se ka lënë jashtë funksionit kamionët e rinj që u janë dorëzuar.

Për këtë ata deklarojnë se është krijuar një terren i rrezikshëm, që mund të çojë në shpërthim epidemie.

Në komunikatë thuhet se ndonëse Komuna e Prishtinës i ka ndihmuar Kompanisë të menaxhojë mbeturinat, megjithatë, sipas tyre, kjo Kompani “ka prodhuar sabotazhe të paarsyeshme dhe lojëra politike që kanë penguar çdo mundësi për përmirësim të gjendjes në terren”. 

“Ky dështim i përmasave të mëdha ka krijuar një situatë alarmante për shëndetin publik, ku qytetarët e Prishtinës janë të rrezikuar për shkak të menaxhimit të dobët të mbeturinave. Pas një inspektimi të detajuar nga Drejtoria për Shëndetësi, Siguri dhe Emergjenca dhe Inspekcioni, kemi dalë me Raporte konkrete që dokumentojnë rrezikun e drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve.” – thuhet ndër të tjera në komunikatë. 

Sipas tyre, “Pastrimi” ka vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve dhe ka lënë Kryeqytetin të përballet me një krizë shëndetësore. 

Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka deklaruar se Prishtina ka mungesë të theksuar të kontejnerëve, duke iu drejtuar kryetarit Përparim Rama që t’i lirojë nga depoja. 

Sipas Reçicës, kontejnerët për mbeturina që janë blerë, po vazhdojnë të mbeten të padorëzuar në malet e Gërmisë. 

“Qyteti ka nevojë urgjente për më shumë kontenjerë për mbeturina, ndërkohë që ata që janë blerë vazhdojnë të mbeten të padorëzuar në malet e Gërmisë, më saktësisht në Butovc. Mungesa e tyre e vështirëson punën e KRM ‘Pastrimi’ dhe ndikon drejtpërdrejt në pastërtinë e lagjeve tona.” – ka shkruar Reçica, më 12.02.2025. 

Në anën tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, në një Konferencë për media, sot, më 13.02.2025, deklaroi se shpërndarja e kontejnerëve nuk po bëhet nga vetë Ndërmarrja “Pastrimi”, për arsye që tha se mund të jenë politike. 

“Sot kam pa një status të Kryeshefit të Ndërmarrjes ‘Pastrimi’, që përpiqet me fore të lodhta t’ia hedh fajin Komunës, mirëpo kemi fakte të mjaftueshme që mosshpërndarja e kontejnerëve po bëhet nga Ndërmarrja ‘Pastrimi’ për qëllime, që ndoshta mund të jenë edhe politike.” – tha Brestovci.

Përveç kësaj, drejtori Brestovci, tha se Ndërmarrja “Pastrimi” i ka prishur edhe gjashtë kamionët, të cilët thotë se Komuna ia ka dhënë më 6 shkurt të këtij viti, në mënyrë që sipas tij që atë natë të fillojë puna për mbledhjen e mbeturinave.   

Për këto pretendime të Komunës së Prishtinës, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Kompania “Pastrimi” dhe është në pritje të një përgjigjeje.

Kriza me mbeturinat në Kryeqytet, Brestovci: Mos-shpërndarja e kontejnerëve nga ‘Pastrimi’ po bëhet për qëllime politike