Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush me kë në koalicion në Fushë Kosovë? Flasin kandidatët për kryetar

Kandidatët për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, që garojnë në balotazhin e 14 nëntorit kanë treguar në Debat Pernime se me cilat parti do të lidhin koalicione për asamblenë.

Enver Bajçinca i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se deri më tash nuk kanë biseduar me asnjë parti dhe as nuk do të arrijnë marrëveshje.

“Do të bashkëpunojmë me të gjithë anëtarët e asamblesë. Do të bashkëpunojmë në qeverisje me të gjithë që kanë vizion dhe synim për zhvillimin e Fushë Kosovës. As nuk kemi lidh marrëveshje dhe as nuk jemi në bisedime me dikë. Ne besojmë te qytetari se do të jetë edhe me 14 nëntor ashtu siç ka qenë me 14 shkurt”, ka thënë Bajçinca.

Në anën tjetër Burim Berisha i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se tashmë e kanë siguruar shumicën e Kuvendit Komunal.

“Në asamble qëndrojmë mirë si LDK dhe 37 për qind është rezultat shumë i mirë. Ne qeverisim asnjëherë s’i kemi pasur 50 për qind. Ne e kemi shumicën e asamblesë, do ta marrim edhe kryetarin edhe do të vazhdojmë”, ka thënë Berisha.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Fushë Kosovë: Burim Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Enver Bajçinca nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Burim Berisha ka siguruar 49,72% të votave, kurse Enver Bajçinca nga LVV ka marrë 25,58%.