
Kush janë të akuzuarit për 'përgatitje të vrasjes së rëndë për hakmarrje'?
Prokuroria Speciale ka njoftuar, më 22.01.2025, se ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave për shkak të dyshimit të bazuar, se të njëjtit kanë përgatitur veprën penale ‘vrasja e rëndë’.
KALLXO.com mëson se të akuzuar për këtë rast janë: Avni Lajçi e Brahim Berisha dhe bëhet fjalë për një rast të hakmarrjes.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë vepruar në bashkëkryerje.
“Sipas Aktakuzës, për të pandehurit A. L. dhe B. B. ekziston dyshimi i bazuar mirë, se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale: “përgatitje e veprës penale ‘vrasje e rëndë”, sipas Nenit 173, Par, 1, Nënpar. 1.6 – lidhur me Nënpar. 1.13. – lidhur me Nenin 27, Par. 2 – lidhur me 1, në formë të bashkëpunimit Marrëveshja për të kryer vepër penale nga Neni 35, Par. 1 – lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Të njëjtit, akuzohen edhe për veprën penale: “armëmbajtje pa leje”.
“Po ashtu – sipas Aktakuzës – për dy të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë, se kanë kryer edhe veprën penale: “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, Par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.