Jeta në Komunë, Pejë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush janë "qinovnikat" e Prishtinës që s'po e lënë Gazmend Muhaxherin t'i realizojë projektet?

Para tri viteve, Gazmend Muhaxheri për të dytën herë ia kishte mësyrë garës për të parin e Komunës së Pejës.

Muhaxheri disa prej premtimeve që i dha nuk ka arritur t’i realizojë për tri vite të mandatit si shef i qeverisjes lokale të Pejës.

“I have a Dream. Unë e kam pa një ëndërr dhe kjo është ëndrra e qytetarëve të Pejës, është ëndrra e njerëzve më të devotshëm në këtë qytet. Ka pasur kundërshtime të mëdha. Ju garantoj që në këtë mandat e mbarkojmë, vitin tjetër kemi me skiju në këtë qendër”, kishte premtuar në vitin 2017 Muhaxheri.

Por, pas tri viteve, është hapur vetëm një gropë gjigande, ndërsa terren për skijim nuk ka.

Kryetari e fajëson ministrin e Planifikimit Hapësinor për zvarritje.

“Muj me ju kërku falje qytetarëve se u kam thonë që ‘qinovnikat’ e Prishtinës nuk kanë me vendos për Borean. Po më vjen keq që prapë po vendosin ‘qinovnikat’ e Prishtiunës. Në Ministrinë e Ambientit, konzorciumi fitues kur e ka bërë vlerësimin e ndikimit në mjedis i është kthyer përgjigjja se është pezulluar vlerësimi i tyre për shkak se parku nacional “Bjeshkët e Nemuna’ nuk ka zonim”, ka thënë ai në debatin “Jeta në Komunë”.

Sipas Muhaxherit kjo është pengesë për zhvillim të projektit Borea, që është projekt i filluar në vitet ’80.

Një tjetër premtim i të parit të Komunës së Pejës ka qenë edhe funksionalizimi  i ambulancë në fshatin Bogë të Rugovës.

Pas tri viteve, sipas drejtorit të Shëndetësisë të Pejës, nuk ka ambulancë në Bogë.

 

Sipas kryetarit Muhaxheri, në shkollën në Bogë është edhe hapësira për ambulancë, por nuk është funksionale.

“Janë, por nuk është funksionale sepse ambulanta në Drelaj për 6 muaj funksionim i ka pas 2 pacienta, edhe nuk ja ka vlejte për 2 pacienta në 6 muaj”.

Ndërsa, i pari i Pejës premtim kishte dhënë edhe për emërimin e 3 deri në 5 drejtoresha gra, si dhe nënkryetarja e Komunës do të jetë grua.

Sot, Komuna e Pejës ka 4 drejtori që udhëhiqen nga gratë, e nënkryetar është Fatmir Asllani.

Në emisionin “Jeta në Komunë”, për këtë premtim, Muhaxheri tha se 4 drejtoresha janë emëruar, ndërsa nënkryetari është i partisë së tij.

“Besoj në mandatin tjetër e bëjmë nënkryetaren femër”, tha Muhaxheri.