Kush ishte Presidenti Bujar Nishani

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka vdekur sot në moshën 56 vjeçare.

Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe Presidenti, Ilir Meta përmes një postimi në Facebook.

“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe! Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion”, ka shkruar Meta.

Për vdekjen e Nishait ka shprehur ngushëllime edhe presidentje e Kosovës Vjosa Osmani.

Ajo e ka quajtur tdhetar të pashoq ish Presidentin Nishani.

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet”, ka shkruar ajo.

Një muaj më parë, Nishani u shtrua në Sanatorium pasi u infektua me coronavirus. Dy ditë pas shtrimit, gjendja e tij u rëndua dhe u transportua drejt Gjermanisë, ku ndërroi edhe jetë.

Kush ishte Presidenti Nishani

Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Studimet e larta, Bujar Nishani i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988.

Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996.

Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004.

Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.

Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988.

Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes.

Në vitin 1997, ai kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.

Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.

Më 11 qershor 2012, Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.

Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit. Ai u zgjodh në vitin 2012, i cili përkujtoi 100 vjetorin e krijimit të Shqipërisë së pavarur dhe ishte një festë një vjeçare.