Nexhmije Pagarusha

Kush ishte Nexhmije Pagarusha, primadona e pakaluar e këngës shqipe

Nexhmije Pagarusha, Bilbili i këngës shqipe ka vdekur sot në moshë 86 pas një sëmundje të gjatë.

Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj 1933, në Pagarushë të Malishevës.

Shkollën fillore e kreu në Malishevë, ndërsa më vonë u vendos në Prishtinë.

Shkollimin e mesëm muzikor, solokëndimin e filloi në Beograd, por për shkak të rrethanave jo të volitshme e ndërpreu pas tri viteve.

Karrierën e nisi më 1948, si këngëtare e Radio Prishtinës, duke qenë më vonë edhe këshilltare e produksionit muzikor të kësaj radioje, (tash Radio Kosova).

Për mbi 40 vjet, me interpretimet dhe zërin e saj të veçantë, Nexhmije Pagrausha apo “Bilbili i Kosovës”, siç quhej ndryshe, mbeti Primadona e muzikës popullore dhe asaj argëtuese shqipe.

Ajo i dha muzikës shqiptare perlat më të çmueshme të saj, me një repertor të gjerë dhe të larmishëm, duke marrë vlerësimin, “Bilbili i Kosovës”.

Muzika e saj ka rritur gjenerata dhe ka qenë frymëzim për këngëtarët tjerë.

Disa nga këngët më të njohura të Pagarushës janë: “Baresha”, “Kënga e Rexhës”, “Një lule”, “E dehur jam”, ”E kujtoj atë takim”, “Ani mori nuse”, “Sytë për ty i kam të njomë”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Mora testin”, “Ke selvite”, “Ty moj të kam dashtë”, “Mos kërko”, “Bien tupanat”, “Balada mbi kohën”, “Bashkë me ty”, “Prishtinë e dashur”, “Dashuro”, “Kah pranvera”, “Gitarja”, etj.

Kënga “Baresha”, e kompozuar nga burri i saj, Rexho Mulliqi, mbetet perla e pakalueshme e muzikës shqipe.

Ajo ka përfaqësuar Kosovën në shumë koncerte e festivale në ish-Jugosllavi dhe në vende të ndryshme të botës.

Nexhmije Pagarusha është shquar edhe si aktore e filmit dhe teatrit.

Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë, por u rikthye në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea. Ishte pjesë edhe në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”.