Kush ishin tre deputetët që munguan në seancën e mocionit të mosbesimit?

Të mërkurën mbrëma, në kushte jo të zakonshme pune, Kuvendi i Kosovës votoi për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me anë të një mocioni të mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

82 vota për, 34 kundër e 1 abstenim ishte rezultati i seancës në Kuvendin e Kosovës më 25 mars.

Në këtë seancë morën pjesë 117 deputetë, nga 120 sa janë në total.

Administrata e Kuvendit të Kosovës e ka konfirmuar për KALLXO.com se tre deputetë që munguan në seancë janë, një nga LVV-së, një nga LDK dhe një nga AKR.

“Kanë munguar deputetët: Jahja Koka, Behxhet Pacolli dhe Fatmir Rexhepi”, thuhet në përgjigjen.

Fatmir Rexhepi është deputet i LDK-së, Jahja Koka i Vetëvendosjes e Behgjet Pacolli i AKR-së.

Gjatë seancës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se për votuan 82 deputetë, kundër 32 dhe 1 abstenoi.

Por, dy vota nuk ishin numëruar kur u votua kundër.

Përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tek të cilët mungoi deputeti i më i vjetër i legjislaturës, Jahja Koka, kundër ishin edhe tre vota nga LDK, Vjosa Osmani, Haxhi Shala dhe Ardian Shala.

Por, përveç këtyre, kundër votuan edhe dy deputetë nga Grupi Parlamentar 6+. Fidan Jilta dhe Zekreta Aliti.

Votën kundër për KALLXO.com e kanë konfirmuar vetë deputetët.

Ndërsa, ndaj rrëzimit të Qeverisë së Kosovës abstenoi Fikrim Damka.

Qeveria e Kosovës u rrëzua më 25 mars pas vetëm 51 ditë pune.