Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së. 23.07.2024. Foto; KALLXO.com
‘Kush i pari e kush i fundit’, edhe një mbledhje e dështuar e komisionit hetimor për punësimet në MPJD
Deputetët e pozitës dhe të opozitës në Komisionin hetimor parlamentar, qe gjashtë muaj asessi nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët se kë ta intervistojnë të parin e kë të fundit lidhur me punësimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Është mbledhja e tretë që ulen rreth tavolinës me të njëjtin rend dite, por mbledhja vijon me përplasje dhe pika tjera politike, pa i dhënë fund diskutimeve se kë të intervistojnë, gjë që është kruciale për këtë komision.
Mbledhja e datës 23.07.2024, u tensionua deri në pikën sa që kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj (AAK), u shpreh e mllefosur, se nëse edhe në këtë mbledhje nuk arrihet t’i ipet fundi se cilët persona t’i intervistojnë, ajo do ta lë pozitën e kryesueses. Kështu u shpreh edhe deputeti Hisen Berisha (PDK), i cili tha se ‘nuk ka kohë dhe luks’ që të harxhojë në një komision në të cilin nuk ka rezultate.
“Nëse edhe ky kompromis nuk bën, unë largohem nga ky komision. Edhe e çojmë një raport në Kuvend që ky komision nuk bën”- tha Kadrijaj.
Meqë nuk u arrit as kësaj here se të vendoset se kush të intervistohet në fillim, a ministrja e tanishme Donika Gërvalla-Schwarz qysh po kërkon pozita, apo e fundit qysh po kërkon opozita, dhe e njëjta gjë edhe për ish-ministrin Enver Hoxhaj, atëherë deputetët mbledhjen e kaluan vetëm duke u përplasur me njëri-tjetrin.
Se kush do të intervistohet si dëshmitar për këtë hetim parlamentar, ekzistojnë tri lista mbi tavolinë; një e përpiluar nga ekspertët e pavarur, një nga pozita dhe një nga opozita.
Përderisa pozita që ka gjashtë deputetë në këtë komision, ngulmon që listat të hidhen në votim e të fitojë vota shumicë, opozita që ka katër deputetë kërkon që të ketë një koncensus mes tyre.
Time Kadrijaj tha se duhet ta respektojë kohën e komisionit, të bëhet fuzionimi i tri listave nga administrata e komisionit, të fshihen emrat e përsëritur dhe të thërrasin dëshmitarët për intervistim. E, nëse shtohet nevoja të thërrasin edhe të tjerë ndërkohë.
Edhe Hisen Berisha kërkon fuzionim të listave, pasiqë sipas tij nuk është e rëndësishme se kush është i pari, por e rëndësishme është që ministrja dhe ish-ministri Hoxhaj të mbesin në fund.
“Për mua është me rëndësi që personi kryesor me mbet i fundit, në mënyrë që të kemi çka ta pyesim”- tha Berisha.
Arbëresha Kryeziu tha se i qëndrojnë propozimit të tyre që të votohen listat njëherë.
“Nuk jemi për që fuzionimin ta bëjnë administrata e as ekspertët ta bëjnë radhitjen. 14 e tutje përndryshe të hidhet në votim”- tha ajo.
Në pjesën e parë të mbledhjes, pas disa diskutimeve mes vete, deputetët nga Lista Guxo, Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli u pajtuan deri diku me opozitën që ministrat të mbesin të fundit për intervistim. Por, pas një pauze rreth 20 minutëshe të kërkuar nga deputetët e LVV-së, deputetët e koalicionit LVV-Lista Guxo, njëzëri kërkuan që ministrja Gërvalla të mos jetë në mesin e atyre që do të intervistohet e para, por të nisin nga zyrtari i Auditimit.
“Edhe unë pajtohem që ministrat të mbesin në fund. Mundemi me fillu me Hamdi Bërbatovcin”- tha fillimisht Haxhi Avdyli.
“Unë pajtohem me faktin që ministrja dhe ish-ministri të intervistohen në fund, por duke mos u limtuar që gjatë rrugës që të kemi dëshmitarë tjerë”- tha Jeta Statovci.
Në pjesën e parë të mbledhjes, deputeti Haxhi Avdyli tha se nuk pranojnë që të intervistuarit të parë të jenë të Sindikatës dhe as ambasadorët e shkarkuar, pasiqë pesë persona prej Sindikatës nuk janë të nevojshëm.
Opozita pranoi që të mbes vetëm një person nga Sindikata dhe mos të intervistohen diplomatët e shkarkuar të konkursit të 2011-ës me arsyetimin se po mundohen të lëshojnë pe në mënyrë që të arrihen kompromise me pozitën.
“Për mua do ishte joparimore ta thërrasim Donika Gërvallën të parën pa i pasë informatat dhe në fund të pretendimeve të këtyre personave t’i thyejmë në fund me të, e i parafundit [të thirret] Enver Hoxhaj”- tha Hisen Berisha.
Një nga propozimet e kryesueses Kadrijaj, ishte që të caktohet një anëtar i pozitës dhe një i opozitës që të fuzionojnë listat, por ky propozim nuk gjeti mbështetje.
Deputetja Fitore Pacolli këmbënguli që listat të votohen dhe të vazhdohet tutje.
“Nuk shkon komisioni me koncensus, por me votë”- tha ajo. Kësaj deklarate iu kundërvy Kadrijaj duke i thënë se “po doni me shfytëzu votën e me bo çka të doni”.
Deputetja Musliu- Shoshi tha që këmbëngulja e pozitës, është tendencë që të mbulohen krimet ligjore.
Në një moment, mbledhja u tensionua më shumë pas deklaratës së deputetit Hisen Berisha i cili ju tha që mos të flasin në mbledhje si në ‘kanagjegj’. Kësaj deklarate i reaguan deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i thënë se kjo është qasje mizogjene.
Edhe pse është themeluar qysh në mars të vitit 2024, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ende nuk ka arritur të gjejnë zgjidhje për mënyrën se si të vazhdojnë punën tutje.
Edhe mbledhja e javës së kaluar, edhe pse zgjati më shumë se një orë, nuk pati as edhe një votim përpos të rendit të ditës dhe procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara.
KomisonDeri më tani kanë arritur ta intervistojnë vetëm një dëshmitar, ish-Sekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behar Isma.
Mbledhjet e këtij komisoni në vazhdimësi janë përshkuar me përplasje. Ndërkohë, ende nuk kanë arritur të sigurojnë qasje në të gjitha dokumentacionet të cilat janë kërkuar nga MPJD-ja për të vazhduar më tutje punën e tyre.
Iniciatorja e komisionit, deputetja Musliu-Shoshi kishte kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.
Ndër tjera, Musliu-Shoshi, kishte kërkuar procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e ish-sekretarit Behar Ismës, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.