Kush i financon mediat në Kosovë?

Violeta Hyseni-Kelmendi, anëtare e bordit në Komisionin e Pavarur të Mediave, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se në Kosovë nuk ka ndonjë raportim të mediave që sigurohet qartësi se kush i financon televizionet dhe radiot.

“Në kemi një adresar ku janë të identifikuara mediat dhe kush është pronar i tyre sipas asaj që kanë deklaruar. Mediat janë të detyruara që të bëjnë raportime vjetore në KPM. Raportimet duhet akoma të avancohen sepse nuk janë të asaj forme që sigurojnë qartësi në aspektin e parandalimit dhe koncentrimit të mediave”, tha ajo.

Anëtarja e bordit të KPM-së tha që janë duke punuar në një rregullore e cila do të parasheh më shumë transparencë në aspektin e financimit të mediave.

“Për momentin jemi në proces të hartimit të rregullores për pronësinë dhe parandalimin e koncentrimit të mediave, meqenëse kjo çështje nuk është rregulluar akoma, kjo është një rregullore e cila ka filluar të hartohet tash e dy vjet në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Gjithashtu jemi në proces të ndryshimit të Ligjit të KPM-së i cili edhe ashtu është i vjetër”, theksoi ajo në debatin për luftën kundër lajmeve të rreme.