Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Kush fitoi në Qendrat e Votimit ku votuan kandidatët për Kryeministër?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar 99.17% të rezultateve preliminare të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Sipas këtyre të dhënave, ku nuk përfshihen votat me kusht, ato të diasporës dhe të personave me aftësi të kufizuara, LVV prin me 40.83%, PDK renditet e dyta me 22.15%, LDK e treta me 17.59% dhe koalicioni AAK-NISMA i katërti me 7.47%.

Kandidati për Kryeministër nga LVV, Albin Kurti votoi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Në këtë Qendër të Votimit, LVV prin me 47.41%, pasuar nga LDK me 25.29%, PDK me 18.66% dhe AAK-Nisma me 3.57 %.

Bedri Hamza, kandidati i PDK-së për Kryeministër, ka votuar në shkollën “Andon Zako Çajupi”, në Mitrovicë të Jugut.

Në këtë Qendër të Votimit prin LVV me 55.35 %, e ndjekur nga PDK me 28.76%, LDK me 6.91% dhe Koalicioni për Familjen si i katërti me 4.63%.

Kandidati për Kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku ka votuar në Qendrën e Votimit në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë.

LVV në këtë Qendër prin me 45%, pasuar nga LDK me 24.44%, PDK e treta me 21.32% dhe Koalicioni për Familjen me 4.04 %.

Ramush Haradinaj, kandidat për Kryeministër i koalicionit AAK-NISMA, ka votuar në shkollën “Ali Sokoli”, në Prishtinë.

Edhe në këtë Qendër prin LVV me 45.54%, pasuar nga LDK me 24.04%, PDK me 22.03% dhe AAK-Nisma me 4.27%.

Në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garuan 1.280 kandidatë, nga 28 subjekte politike.

Katër partitë më të mëdha në vend të cilat njëherësh fituan më shumë vota: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Koalicioni i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-NISMA-Konservatorët- Intelektualët-Lista Ideal patën nga 110 kandidatë për deputetë.

Ndërsa, Koalicioni për Familjen, parti që nuk e kaloi pragun sipas rezultateve preliminare pati 72 kandidatë për deputetë.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse për deputetë. Prej tyre 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 janë për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq 10 ulëse të tjera janë për pakicat e tjera. Ulëset për komunitetet joshumicë në Kosovë janë të garantuara me Kushtetutë.

Me 99.17% të votave të numëruara, Vetëvendosje renditet e para me 339 mijë e 350 vota, apo 40.83%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.15% të votave, apo 184,087 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani, me 17.59%, apo 146,241 vota. Koalicioni AAK-NISMA kanë 7.47% të votave, apo 62,066.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvendin e Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.